Pagat e Policisë, Abdixhiku i reagon Kurtit: Qeveri normale nuk ka ky shtet, ka mashtrues e propagandues
Kryeministri Albin Kurti dhe vartësi i tij ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bënë dy postime në lidhje me protestën e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) që nxitën reagime të shumta. Ndër to, reagim pati edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se një Qeveri normale nuk do t’i lërë djemtë më elitarë në […]
Kryeministri Albin Kurti dhe vartësi i tij ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bënë dy postime në lidhje me protestën e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) që nxitën reagime të shumta.
Ndër to, reagim pati edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se një Qeveri normale nuk do t’i lërë djemtë më elitarë në protestë, por sipas tij, në Kosovë nuk ka Qeveri normale.
Ka mashtrues dhe njerëz që bëjnë propagandë ka theksuar Abdixhiku.
“Po kërkojnë dinjitet. Dhe dinjitet meritojnë këta dhjetra djem. Hiqni ca mëditje nga shëtitjet e thata dhe zgjidhjen e keni krejt të lehtë. Një Qeveri normale nuk do të lejonte – aq më pak pas sulmit terrorist – t’i kishte djemtë elitarë në protestë. Një Qeveri normale nuk do t’i trajtonte këta djem me propagandë! Por, Qeveri normale nuk ka ky shtet. Ka mashtrues që nxisin turma edhe në këtë temë. Edhe një përplasje e re. Edhe një propagandë. Sikurse me minatorë, mësues, policë e më secilën shtresë në këtë vend”, ka theksuar Abdixhiku.
“Për t’i marrë 2,200 euro u duhet të luftojnë me kriminelë e terroristë, me nga 20 orë punë e 4 orë gjumë – dhe atë çfarë pune e çfarë gjumi se! I thonë punë jashtë orarit; punë shtesë. Për punë të tillë mos paçin nevojë asnjëherë; por janë aty sa herë që kemi nevojë; si vend, si shtet, si shoqëri. I thonë angazhim patriotik për atdheun. Paga e tyre është 630 euro BRUTO! Kaq paguhen. 550 euro NETO!”, ka shkruan në Facebook i pari i LDK-së.
Çka thanë Kurti e Sveçla?
“Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku Bruto Produkti Vendor (BPV) për kokë banori në muaj është rreth 460 euro”.
Kështu ishte deklarimi i Kurtit pas protestës së Njësitit Special Intervenues, duke shtuar se të ardhurat mesatare të shumicës së pjesëtarëve të kësaj njësie për këtë vit kanë kaluar shumën prej 2.200 euro në muaj, duke përfshirë pagën bazë dhe shtesat, e sipas tij, tash do t’i marrin edhe nga 150 euro me shtesën e rrezikshmërisë.
Në një postim në Facebook të mërkurën, Kurti ka deklaruar se në fund të nëntorit, përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrin 1.350 euro neto retroaktivisht.
“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 eurosh në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023)”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Teksa ka folur për kërkesat e NjSI-së, Sveçla ka thënë se Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë, por se ky vend është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz.
“Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës. Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre. Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar, ashtu edhe me ngritjen në strukturë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla, ndër të tjera, ka thënë se me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i ka gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jocilësor.
Ai ka thënë se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të policëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.
“Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale, ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro.
Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor, si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka vijuar Sveçla.















