Pajtimi i Brukselit, flasin serbët e shqiptarët e Veriut
Zhvillimet e fillimit të javës, me vëmendje janë përcjellë edhe nga banorët e veriut. Madje shumica e të intervistuarve në Mitrovicën e veriut, shprehin optimizëm, pas disa muajve turbulencash politike e të sigurisë, që e karakterizuan veriun në fund të vitit. “Mirë, uroj që të respektohet kjo”, ka thënë Jovan Jonanoviq. Ndërsa qytetarja, Rada Antasijeviq […]
Zhvillimet e fillimit të javës, me vëmendje janë përcjellë edhe nga banorët e veriut.
Madje shumica e të intervistuarve në Mitrovicën e veriut, shprehin optimizëm, pas disa muajve turbulencash politike e të sigurisë, që e karakterizuan veriun në fund të vitit.
“Mirë, uroj që të respektohet kjo”, ka thënë Jovan Jonanoviq.
Ndërsa qytetarja, Rada Antasijeviq tha se “Të gjithë të jenë mirë, dhe uroj të arrihet marrëveshja. Po presim që gjithçka të bëhet mirë, në ty dy anët e Mitrovicës, dhe të jetojmë si dikur që ka qenë shumë bukur.”
Qytetarja Radenkoviq Zhivana tha se “Duhet të jemi optimist dhe të jetojmë si dikur, ka qenë bukur për të gjithë atëherë. Duhet të mendojmë më pozitivisht dhe të urojmë në bashkëpunim dhe marrëveshje. Aso kohe si shqiptarët si serbët ishin si motra e vëllezër. Ju betohem, do donim që të jetë më bukur e më lehtë për krejt.”
Por për dallim prej tyre kishte edhe nga ata që u shprehën indiferent në raport me këto zhvillime.
Fajtor për një disponim të tillë sipas përfaqësuesve politik të komunitetit shqiptar janë edhe zhvillimet e fundit në kohën e barrikadave.
“Janë në një bllokadë politike janë tërhequr nga institucionet, nuk ka policë nuk, ruajtës të rendit, për serbët nuk ka gjykata, ato nuk funksionojnë dhe mund ta imagjinoni”, ka deklaruar Skender Sediku, Zëvëndëskryesues i Kuvendit Komunal.
Sadiku thoë se presin që sa më shpejt të gjindet një zgjidhje e qëndrueshme politike për të dyja palët.
“Jemi lodhur definitivisht secili komunitet këtu është i lodhur prej temave të mëdha. Edhe definitivisht kërkohet një zgjidhje për të ardhmen e fëmijëve… Edhe komuniteti serb, bile ata janë duke përjetuar momente më të rënda sesa komunitetet jo-shumicë që jemi”, ka shtuar ai.
Mendim të njëjtë ndan edhe politologu Emir Azemi, e që jeton po në të njëjtën komunë, në lagjen e boshnjakëve.
Ai thotë se në kohën kur po flitet për një marrëveshje finale, pret që të qartësohen disa çështje sa i përket temës së asociacionit.
“Është çështja e të drejtave të komuniteti shqiptar në këtë krijesë se a do të jenë të garantuara apo do të jenë vetëm në letër. Dhe do të jetë shume me interes se cila është e drejta e shqiptarëve për t’u kthyer, a do kemi edhe ne të drejtë t’i kthejmë shqiptarët apo kjo çështje do të mbetet vetëm në letër dhe shqiptarët nuk do të kthehen në pronat e tyre që janë të uzurpuara dhe shkatërruara”, ka deklaruar Emir Azemi, banor i Lagjes së Boshnjakëve.
Edhe nëse arrihet një marrëvshje dy-palëshe, Azemi thotë se sa i përket komunave veriore nuk është optimist se do të ndryshojë gjendja, përpos që ilegaliteti në terren do të formalizohet edhe ligjërisht.















