Pak interesim në konkursin gjyqtarë serbë, shkak politika
Vetëm 3 kandidatë kanë aplikuar në konkursin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për plotësimin e 8 pozitave të gjyqtarëve serbë që janë pensionuar. Ky konkurs ishte iniciuar në fillim të muajit nëntor dhe qëndroi i hapur për një muaj. Nga Këshilli KGJK-ja nuk kanë hollësi për procesin, derisa kanë treguar se konkursi për gjyqtarë në […]
Vetëm 3 kandidatë kanë aplikuar në konkursin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për plotësimin e 8 pozitave të gjyqtarëve serbë që janë pensionuar.
Ky konkurs ishte iniciuar në fillim të muajit nëntor dhe qëndroi i hapur për një muaj.
Nga Këshilli KGJK-ja nuk kanë hollësi për procesin, derisa kanë treguar se konkursi për gjyqtarë në Gjykatën Komerciale do të rishpallet.
“Për tetë (8) pozita të shpallura kanë aplikuar tre (3) kandidatë. Është proces në faza të caktuara, nuk mund të themi asgjë se kur do të përfundoj. Për Gjykatën Komerciale nuk ka pasur kandidat nga komuniteti jo shumicë, mbetet të rishpallet prapë konkursi për të plotësuar këtë pozitë.”
Në Gjykatën Komerciale e cila është themeluar së fundmi, të gjitha konkurset e brendshme deri më tash kanë dështuar, për shkak të mungesës së aplikimeve nga komunitetet.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se kjo çështje është e lidhur me politikën dhe si shkak i kësaj ka probleme vazhdimisht.
“Gjithmonë kur kemi pasur të bëjmë me komunitetin serb për përfshirjen në institucione të drejtësisë, ata gjithmonë kanë qenë të kushtëzuar nga politika, nuk është çështje që nuk ka kuadra që i plotëson kushtet e veçanta për tu zgjedhur gjyqtarë nëpër gjykata, më tepër janë duke e pritur epilogun politike se si do të veprohet me tjerët”, ka deklaruar ai.
Sipas Hasanit, mungesa e tyre do të ketë efekte negative në punën e gjyqësorit.
“ Me ligj vendet e rezervuara për komunitete nuk mund të plotësohen me gjyqtarë të tjerë, sepse janë vende ekskluzivisht për ta dhe mungesa e gjyqtarit për një kohë të gjatë lë pasoja, për çështje të ndryshme, dhe veçmas kur kemi të bëjmë me Gjykatën Themelore në Prishtinë që është tejet e ngarkuar”, ka deklaruar tutje ai.
Në anën tjetër, që nga nëntori i vitit të kaluar, kur në mënyrë të organizuar serbët u larguan nga institucionet, gjykatat në Kosovë janë ballafaquar me mungesë të gjyqtarëve serbë, derisa vendet e më shumë se 20 gjyqtarëve serb vazhdojnë të jenë bosh.















