“Pak shpresë që gjendet i gjallë, nuk e harroj deri të vdes”

Babai i Bashkimit, Shaip Ramabaja, ka pak shpresa që fati i djalit të tij – të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, 1999, do të mund të zbardhet. Ai thotë se ndonëse kanë kaluar 24 vjet që nuk di gjë për të birin, nuk kalon dita e as nata pa e kujtuar

Ishte 18 prilli i vitit 1999, kur Shaip Ramabaja nga lagjja Hajvali e Prishtinës e kishte parë për herë të fundit djalin e tij, Bashkimin.

Për shkak të ofensivës, familja e Shaipit ishte zhvendosur në fshatin Mramor.

Por, të përndjekur sërish nga forcat serbe, si shumë familje të tjera shqiptare që ishin nisur drejt fshatrave të Gollakut, edhe Shaipi është detyruar të kthehet në Hajvali. Ndërkaq, djali i tij, Bashkimi kishte mbetur në mal, për t’iu shmangur ushtrisë serbe.

Bashkim Ramabaja, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë, 1999

Babai i Bashkimit, Shaipi ka rrëfyer për Portali Dukagjini, mënyrën se si Bashkimi ka rënë në duart e serbëve.

Sipas tij, Bashkimi, pas 22 prillit të vitit 1999, ka tentuar të shkojë në Kolovicë – një lagje periferike e Prishtinës – atje ku ishte familja e nënës së tij.

Por, rrugës është kapur nga forcat serbe.

“Djali ka tentu me hy në Kolovicë të vjetër, atje i ka pas dajtë. Në Kolovicë të re është zënë, e kanë dërgu në burg në Lipjan deri më 12 qershor ka qëndruar atje, tani i kanë nis për në Serbi. Më nuk di asgjë, Allahu e di se a e kanë vrarë apo çka”, ka thënë Ramabaja.

“Frikësohem që fati i djalit tim nuk do të zbardhet”

Shaip Ramabaja ka thënë se e ka të vështirë ta presë datën 18 prill dhe të rikujtojë të njëjtën datë të vitit 1999.

Të gjallë apo të vdekur, ai pret që ta gjejë Bashkimin edhe pse shpresat i janë zbehur se fati i tij mund të zbardhet ndonjëherë.

“99 për qind nuk besoj që do të zbardhet fati i djalit tim, por njeriun e mban shpresa. Kam pritur shumë, por për ne, prindërit, është dy herë më e rëndë sesa vdekja. Që atëherë edhe gruan nuk e kam mirë. Ka pasur sulm në tru nga mërzia. E rëndë është shumë. Vdekja është vdekje, por të paktën të dinim ndonjë drejtim. Do të shkonim ndonjëherë e të luteshim për të. Natë e ditë e mendojmë e deri të vdesim unë edhe gruaja ime e të na del bari një metër mbi varr, nuk e harrojmë kurrë”, shprehet Ramabaja për Portalin Dukagjini.

Shaip Ramabaja, babai i Bashkimit – i zhdukur gjatë luftës në Kosovë

“Përpjekja e qartë për zhdukjen e një populli”

Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve nga lufta e fundit 1998/99.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se zhdukja me dhunë e mijëra qytetarëve të Kosovës, përfshirë fëmijë, “ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli”.

“Kjo është një ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit. Në ditët si kjo duhet ta kuptojmë jo vetëm se sa e rëndësishme është që të kërkohet kthimi i të gjithë të zhdukurve me dhunë, por mbi të gjitha se sa e rëndësishme është që ta vëmë në vend drejtësinë për ta”, tha Osmani përmes një deklarate.

“Serbia të japë përgjegjësi”

Krerët shtetërorë dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës bënë homazhe para pllakës përkujtimore për të zhdukurit, që gjendet afër Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se Kosova duhet të punojë me faktorin ndërkombëtar që Serbia “të japë përgjegjësi dhe llogari”, për siç tha, rrëmbimin dhe zhdukjen me dhunë të mijëra qytetarëve shqiptarë.

“Edhe sot e kësaj dite, mbi 1.600 prej tyre mbeten ende të pagjetur, jo pse nuk e dimë ku janë. E dimë saktë, e dimë edhe përgjegjësin për këta të rrëmbyer e të zhdukur me dhunë. Është shteti i Serbisë dhe me vetë faktin që shumë prej atyre që u gjetën u gjetën pikërisht nëpër institucione që i ndërtoi vetë Serbia, siç ishte rasti i poligonit ushtarak, tregon që Serbia e di saktë ku ndodhen ata”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen me forcë të të vrarëve, Serbia ka tentuar që të fshehë krimet.

“Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët dhe urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave. Për këtë na nevojitet edhe mbështetja kombëtare, por edhe mobilizimi kombëtar”.

EULEX: Familjarët e të zhdukurve duhet ta dinë të vërtetën

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), që është marrë me çështjen e të zhdukurve, dhe Qendra Burimore për Personat e Zhdukur thanë se familjarëve të personave të zhdukur askush nuk mund t’ua mohojë të drejtën që të dinë të vërtetën”.

“Çështja e personave të zhdukur është një çështje humanitare dhe duhet trajtuar ekskluzivisht si e tillë. Familjet e të zhdukurve duhet të trajtohen me ndershmëri, dinjitet dhe respekt”, tha Negovan Mavriq, zëvendësdrejtori i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur.

EULEX bëri të ditur se që nga fillimi i mandatit të këtij misioni, ekspertët kanë kryer 725 operacione në terren dhe 197 zhvarrime, që kanë rezultuar me identifikimin e 332 persona.

“Këto shifra nuk kanë shumë rëndësi për ata që nuk i kanë gjetur ende të dashurit e tyre. Megjithatë, ato flasin për punën e bërë deri më tani dhe janë tregues i përkushtimit tonë për ta vazhduar këtë punë në mënyrë që t’u japim disa përgjigje familjeve të personave të zhdukur”, tha antropologia e forenzikës në EULEX, Luisa Marinho.

Qeveria e Kosovës ka thënë se e ka prioritet zbardhjen e fatit të të zhdukurve, teksa në Bruksel javën e ardhshme, në rundin e ri të dialogut, liderët e Kosovës dhe Serbisë pritet të miratojnë Deklaratën për të pagjeturit.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika