Pak votues në Zubin Potok, Zeqiri thotë se do ta përfundojë mandatin
11 muaj më parë, Izmir Zeqiri u ul në këtë zyre me asistim të zyrtarëve policor, e pas shpërndarjes së protestuesve që e kundërshtonin zgjedhjen e tij në krye të komunës së Zubin Potokut. Por, këtë të diele pikërisht kati i parë i këtij objekti, po shfrytëzohet si qendër e votimit për shkarkimin ose jo […]
11 muaj më parë, Izmir Zeqiri u ul në këtë zyre me asistim të zyrtarëve policor, e pas shpërndarjes së protestuesve që e kundërshtonin zgjedhjen e tij në krye të komunës së Zubin Potokut.
Por, këtë të diele pikërisht kati i parë i këtij objekti, po shfrytëzohet si qendër e votimit për shkarkimin ose jo të tij. Sikurse shumica e qytetarëve në këtë komunë, edhe vetë Zeqiri nuk e shfrytëzoi të drejtën për të votuar.
“Është hera e parë që unë nuk do ta shfrytëzoi nuk do të dalë për të votuar, dhe arsyeja që nuk do të dalë është nuk dua të krijoj huti me thënë se a ka votu pro a kundër kryetari për kryetarin, kështu që nuk do dalë fare,” Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut.
Zeqiri duke folur për bojkotin e Listës Serbe, është i bindur se ai do ta përfundojë mandatin.
“Lista Serbe nuk është matur kurrë me votën e qytetarit gjithmonë kur ka pasur procese zgjedhore, kanë votuar komisioneret jo qytetarët, kanë votuar komisionerët e Listës Serbe, nuk kanë pasur ndonjë garë demokratike, as monitorim ndërkombëtar dhe vendor dhe ata kanë votuar si kanë dashtë, kështu që edhe ata vetë janë të bindur se ku janë me rezultat të votës së qytetarit,” shtoi Zeqiri.
E për mos shkarkimin e Zeqirit, votoi edhe një qytetare serbe, që ishte ndër të paktat që u panë gjatë ditës aty, e cila tha se është e kënaqur me punën e tij. Gjendja këtu ishte e qetë, e pak lëvizje të qytetarëve u panë edhe nëpër qytet. E qetë e me asnjë lëvizje ishte qendra alternative në Bërnjak, kushtet në të cilën nuk ishin të mira.
Përveç të ftohtit, komisionerët e KQZ-së, në qendrën tek Mala Jabuka, u përballën edhe me reshje të borës gjatë ditës.
Në kushte anonimiteti, njëri nga komisionerët aty tregoi për gjendjen e kontejnerit në të cilin ishin duke qëndruar që nga mëngjesi.
“Që nga mëngjesi i sotëm prej që është hapur vendvotimi në orën 7:00, kushtet ka qenë duke ra shi pastaj edhe reshje bore, por neve na është vështrësuar puna për shkak të gjeneratorit për shkak se nuk karikohet mire, e nuk mundet me fut nxemje, për cka është ftoft,” ka thënë Anëtari i KKZ.
Për nisjen e procesit të votimit në komunën e Zubin Potokut, tregoi përgjegjësi Agim Kastrati, i cili tha se nuk kanë pasur ndonjë telashe.
“Në këtë proces zgjedhor cdo gjë e gatshme në orën 7:00, të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet kanë filluar punën nuk kemi pasur ndonjë problem të theksuar me bartjen e antarëve të këshillave të vendvotimit ashtu sic nuk kemi pasur probleme as me transportin e materialit zgjedhor,” tha Agim Kastrati – Përgjegjës i qendrave të votimit, Zubin Potok .
Në këtë komunë të drejtë vote kanë 6 mijë e 877 votues, derisa kanë qenë 11 qendra të votimit.















