Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka prezantuar projektin “Park and Ride”, që synon të ndihmojë qytetarët të lënë veturat e tyre në vendet e caktuara jashtë qendrës dhe të përdorin transportin publik nëpërmjet një bilete të përbashkët të parkingut.
Sipas tij, projekti “Park and Ride” është një iniciativë që synon të zvogëlojë trafikun në qytetin e Prishtinës duke inkurajuar qytetarët të lënë veturat e tyre në parkingjet e dedikuara jashtë qendrës dhe të shfrytëzojnë transportin publik.
Musliu ka theksuar se kjo është një mënyrë e shkëlqyeshme për të përmirësuar mobilimin dhe për të ulur numrin e veturave në rrugët e qytetit.
Për të ndihmuar në këtë projekt, është planifikuar të ndërtohen parkingje të reja, fillimisht në zonën e “Ramiz Sadikut”, ku qytetarët do të kenë mundësinë të parkojnë veturat e tyre dhe të përdorin transportin publik, biçikletat ose trotinetet elektrike me një bilete të përbashkët të parkingut.
“‘Park and Ride’ mendojmë me i pas në zona periferike, mendohet diku me qenë 5-6 projekte me qëllim që me u parku vetura pastaj me pas mundësi me marrë autobusin, transportin publik apo të njëjtën kohë me marrë një biçikletë apo një trotinet elektrik, kjo na ndihmon shumë në aspektin e mobilitetit”, ka deklaruar Musliu për EO.

Përveç kësaj, planifikohet të krijohen parkingje të tjera në zona periferike të qytetit, me qëllim që të ulen numrat e veturave në qendër dhe të përmirësohet lëvizshmëria.
Musliu gjithashtu ka theksuar se ndryshimet në infrastrukturën rrugore janë përdorur për të përmirësuar fluksin e trafikut në disa segmente të ngarkuara të qytetit, duke përfshirë rrugën “Luan Haradinaj”.
“Është e vërtetë që numri i veturave nuk përkon fare me infrastrukturën edhe me numrin e banorëve, ne jemi jashtë çdo norme mesatare, kemi diku 70-80 mijë vetura lokale brenda në Prishtinë, dhe rreth 120 mijë vetura brenda 24 orëve të cilat e përshkojnë kryeqytetin, po flasim diku për 200 mijë vetura, brenda 24 orëve në një infrastrukturë të cilën të gjithë e dimë çfarë e kemi edhe si është trashëguar”, ka thënë ai.
“Me matje të cilat janë bërë edhe me ndryshime të cilat janë bërë, del që dy segmente janë të ngarkuara, ai i ‘Bill Klintonit’ dhe rruga ‘Tirana’”, u shpreh Musliu, duke thënë se rruga “Luan Haradinaj” është bërë me katër korsi, në mënyrë të zbrazet segmenti që po e ngarkon më së shumti trafikun në Prishtinë”, ka deklaruar tutje ai.
Përveç kësaj, Musliu ka përmendur planet për të investuar në mirëmbajtjen e qytetit, duke synuar blerjen e kamionëve për ndërmarrjen “Pastrimi” në vlerë prej 1 milion eurosh.
Në fund të deklaratës së tij, Musliu ka bërë të ditur se po punohet edhe në blerjen e mbi 1 mijë kontejnerëve të rinj për të rregulluar dhe shtuar lokacionet e kontejnerëve në qytet, duke adresuar probleme të ndryshme në menaxhimin e mbeturinave.