Pakistani ka ndërmarrë sulme ajrore dhe ka dërguar trupa tokësore në provincat afgane përgjatë kufirit mes dy vendeve, duke shkaktuar dhjetëra viktima, sipas zyrtarëve.
Qeveria talebane e Afganistanit i dënoi sulmet si një “akt frikacak” dhe i cilësoi ato si “krim dhe mizori”. Sipas zyrtarëve talebanë, të paktën 100 persona janë vrarë ose plagosur, përfshirë edhe civilë.
Nga ana tjetër, ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar, deklaroi se gjatë operacionit u vranë 29 militantë, duke theksuar se sulmet kishin në shënjestër strehimore të grupeve të armatosura dhe ishin përgjigje ndaj “sulmeve të fundit terroriste kundër qytetarëve të pafajshëm”.
Pakistani akuzon prej kohësh Afganistanin për strehimin e militantëve që kryejnë sulme në territorin e tij, akuza që qeveria talebane i mohon. Nga ana tjetër, Kabuli ka akuzuar vazhdimisht Islamabadin për sulme të pajustifikuara që kanë shkaktuar viktima civile.
Sipas talebanëve, sulmet goditën shtëpi të civilëve në provincat Paktia, Paktika dhe Kunar, ndërsa Pakistani këmbëngul se objektivat ishin baza të militantëve. Viktimat më të shumta raportohet të jenë regjistruar në fshatin Mandikhel, në provincën Paktika.
Përshkallëzimi i fundit vjen një ditë pasi tre pjesëtarë të forcës paraushtarake pakistaneze Sindh Rangers u vranë në një sulm vetëvrasës në Karaçi. Autoritetet pakistaneze thanë se në sulm u vranë edhe tre militantë dhe u arrestua një i dyshuar i katërt, shtetas afgan.
Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi Jamaat-ul-Ahrar, një fraksion i ndarë nga Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP). Të dy organizatat janë të ndaluara në Pakistan dhe janë shpallur organizata terroriste edhe nga Kombet e Bashkuara.
Përplasjet në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit janë shtuar muajt e fundit, pavarësisht armëpushimit të arritur në tetor të vitit të kaluar, i cili tashmë ka dështuar. BBC nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur numrin e viktimave të raportuara nga të dyja palët.