Palestinezët në Izrael pezullohen nga puna shkaku i luftës

Avokatët dhe organizatat e të drejtave të njeriut në Izrael kanë marrë dhjetëra ankesa si nga punëtorët ashtu edhe nga studentët, të cilët që nga e shtuna e kaluar janë pezulluar papritmas nga shkollat, universitetet dhe vendet e punës, për shkak të postimeve në rrjetet sociale ose, në disa raste, bisedave me kolegë

Pasojat e sulmit vdekjeprurës ajror izraelit në Spitalin Arab al-Ahli [Abdelhakim Abu Riash/Al Jazeera]

Të shtunën, më 7 tetor, Noura (emri është ndryshuar me kërkesën e personit për të parandaluar ndëshkimin e mundshëm) shkoi në punë si zakonisht herët në mëngjes në spitalin e Izraelit, ku ishte e punësuar për më shumë se dy vjet.

Profesionistja palestineze e kujdesit shëndetësor i hodhi një vështrim të shpejtë lajmit, por në nxitimin për t’i bërë punët në kohë, ajo nuk i kuptoi plotësisht përmasat e asaj që po ndodhte në vend: një sulm nga grupi i armatosur palestinez Hamas në Izraelin jugor që la të paktën 1300 njerëz të vdekur.

Si përgjigje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka nisur një fushatë bombardimesh vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, ku deri më tash raportohet se janë vrarë më shumë se 2300 palestinezë dhe ka udhëzuar një rrethim të plotë të enklavës, duke bllokuar furnizimet me ushqime, ilaçe dhe karburant. Një pushtim tokësor duket i pashmangshëm.

Mirëpo të shtunën në mëngjes, Noura nuk kishte asnjë dijeni për këtë. Grupet e armatosura palestineze lëshonin periodikisht raketa në jug të Izraelit, të cilat kryesisht rrëzohen nga sistemi i mbrojtjes raketore të vendit, i njohur si “Kupola e hekurt”.

Kështu, kur një bashkëpunëtore dukshëm e tronditur i foli Nouras për atë që kishte ndodhur, ajo u përgjigj duke i thënë: “Kjo nuk është hera e parë” – një përgjigje që ajo tani e pranon se i mungon empatia.

Por, teksa më shumë detaje filluan të dilnin dhe natyra e paprecedent e sulmit u bë më e qartë, Noura u thirr në zyrën e menaxherit të saj dhe iu kërkua ta linte punën e saj dhe të mos kthehej deri në njoftimin e mëtejshëm – për shkak të asaj bisede të mëparshme me kolegun e saj.

“U ndjeva shumë e fyer, nuk mund ta besoja se kjo po më ndodhte mua”, ka theksuar Noura, e cila është një nga 1.2 milion palestinezët që janë qytetarë të Izraelit – rreth 20 për qind e popullsisë së vendit.

“Ndihem e diskriminuar”, vazhdoi ajo. “Nëse ndodh ditë pas dite nuk e ndien. Por, kur ndodh përnjëherë, ndihesh keq. E di që automatikisht shndërrohesh nga mik në armik”.

Menjëherë pas kësaj ajo mori një letër nga menaxhmenti i spitalit, të cilin “Al Jazeera” e ka shqyrtuar, në të cilën ajo u thirr në një seancë dëgjimore për ta zyrtarizuar pezullimin e saj, me arsyetimin se ajo ka shkelur kodin disiplinor të institucionit, duke supozuar se ka mbështetur sulmin e Hamasit.

Noura mohoi t’i ketë thënë ndonjëherë fjalët për të cilat akuzohej.

“Ajo që më ofendoi më shumë është se kur më thirrën në mbledhje, e kishin ndarë mendjen, ishte marrë vendimi. Ata nuk donin të dëgjonin”, ka treguar Noura për seancën.

Ajo foli me “Al Jazeeran” në kushte anonimiteti, sepse, pavarësisht gjithçkaje, shpreson të jetë në gjendje të dëgjohet me drejtësi dhe ta mbajë punën e saj.

Dhjetëra ankesa

Noura nuk është e vetmja. Avokatët dhe organizatat e të drejtave të njeriut në Izrael kanë marrë dhjetëra ankesa si nga punëtorët ashtu edhe nga studentët, të cilët që nga e shtuna e kaluar janë pezulluar papritmas nga shkollat, universitetet dhe vendet e punës, për shkak të postimeve në rrjetet sociale ose, në disa raste, bisedave me kolegë.

Letrat e dërguara nga disa prej instituteve apo zyrave të tyre, të shqyrtuara nga “Al Jazeera”, citonin postimet e shkruara në mediat sociale dhe supozimin e mbështetjes për “terrorizmin” si arsye për pezullimin e menjëhershëm “derisa çështja të hetohet”. Në disa raste, të ndëshkuarit janë thirrur për t’u paraqitur para një komisioni disiplinor.

“Njerëzit që kanë punuar për tre, katër, pesë vjet e gjetën veten duke marrë letra ku thuhet ‘mos ejani në punë për shkak të asaj që keni postuar’”, ka theksuar Hassan Jabareen, drejtori i Adalahas, Qendër Ligjore për të Drejtat e Pakicave Arabe në Izrael.

Në disa nga rastet, “ata thonë se seancat do të mbahen në një datë të mëvonshme, por ata nuk përcaktojnë kur”, ka treguar ai. “Seanca duhet të mbahet përpara se të merrni vendimin”.

Adalah është në dijeni për dhjetëra punëtorë që u pezulluan që nga e shtuna e kaluar në rrethana të ngjashme, kryesisht për shkak të postimeve në mediat sociale. Qendra mori gjithashtu ankesa nga rreth 40 studentë palestinezë në universitetet dhe kolegjet izraelite, të cilët kanë marrë letra dëbimi ose pezullimi nga institucionet e tyre.

Wehbe Badarni, drejtoreshë e Sindikatës së Punëtorëve Arabë në qytetin verior të Nazaretit, ka theksuar për “Al Jazeeran” se sindikata po ndjek më shumë se 35 ankesa, duke përfshirë studentë, si dhe punëtorë në spitale, hotele, pika karburanti e restorante.

Në një letër të parë nga “Al Jazeera”, një kompani ka thirrur një punonjës në një seancë dëgjimore telefonike për ta “shqyrtuar mundësinë e ndërprerjes së punësimit me kompaninë” për shkak të “postimeve që mbështesin aktivitetin dhe nxitjen terroriste”.

“Atmosferë terrori”

Një tjetër punonjës shëndetësor ka folur me “Al Jazeeran” në Tel-Aviv dhe ka treguar se po bënte gjithçka që mundej për të qëndruar i heshtur, nga frika e ndëshkimit. “Askush nuk po flet për situatën, unë po përballem me fytyra të inatosura dhe të zemëruara çdo mëngjes, duke marrë parasysh se jam i vetmi palestinez që punoj aty”, ka treguar ai. “Lajmet janë të tmerrshme, por kur jam në punë përpiqem të tregoj se gjithçka është vetëm lajm. Nuk mund të shprehem apo të flas për atë që po ndodh”.

Mjekët për të Drejtat e Njeriut në Izrael, organizatë jofitimprurëse e themeluar më shumë se tri dekada më parë në Jaffa, kanë trajtuar disa raste të pezullimit të punonjësve mjekësorë që nga viti 2021, pas luftës së parafundit midis Hamasit dhe Izraelit, sipas kryetares së bordit, dr. Lina Qassem Hasan.

Në një rast tjetër, Ahmad Mahajna, mjek në spitalin Hadassah të Jerusalemit, u pezullua pasi i ofroi ëmbëlsira një adoleshenteje palestineze, e cila ishte nën kujdesin e policisë në spital, ku po trajtohej për plagë me armë zjarri pas një sulmi. “Ka një atmosferë terrori, njerëzit kanë frikë”, ka bërë të ditur dr. Qassem për “Al Jazeeran”.

Ajo ishte planifikuar të shkonte në një vizitë dymujore në Gaza me grupin e saj të të drejtave të njeriut më 12 tetor. Kjo vizitë nga mjekët dhe psikologët këtë muaj u anulua pas sulmit të Hamasit. Në vend të kësaj, ajo e gjeti veten duke trajtuar pacientë të evakuuar nga shtëpitë e tyre në Izraelin jugor.

Një radio lokale e intervistoi atë gjatë vizitës së saj. “Në këtë intervistë, thashë se ajo që bëri Hamasi është një krim lufte në sytë e mi, dhe gjithashtu se, ajo që bën Izraeli në Gaza është një krim lufte”, ka theksuar ajo.

“Dy orë pas intervistës, mora një telefonatë nga punëdhënësi im”, ka rrëfyer Qassem, e cila gjithashtu punon në një klinikë. Asaj nuk iu kërkua të ndalonte së foluri në media.

“Ishte si një paralajmërim për mua që duhet të jem e kujdesshme”, tha ajo.

Qytetarët palestinezë të Izraelit janë përballur historikisht me diskriminim sistematik, duke përfshirë investimet e pamjaftueshme në komunitetet e tyre dhe – sipas Adalahas – janë më shumë se 50 ligje që i paragjykojnë ata.

Megjithatë, “racizmi është përshpejtuar” më tej, ka theksuar avokatja Sawsan Zaher për “Al Jazeeran”. “Ajo që po shohim tani është diçka që nuk e kemi parë më parë”.

“Fakti që ju shprehni mendimin tuaj, edhe nëse nuk është domosdoshmërisht nxitje e bazuar në kodin penal, mjafton për t’u marrë si lloj mbështetjeje jo vetëm për Hamasin, por edhe për popullin palestinez”, ka shtuar ajo.

Zaher ka theksuar se njerëzit kanë gjithnjë e më shumë “frikë të flasin arabisht” në publik.

Mbajtja e kokës ulur është ajo që zakonisht bën edhe Noura, ka thënë ajo.

“Në çdo situatë ku ka ndonjë incident apo diçka që ndodh, ne përpiqemi të mos flasim fare për të. Ne përpiqemi që thjesht ta harrojmë, ta vendosim diku thellë në vete, sepse e dimë se do të gjykohemi nëse themi ndonjë fjalë”, ka treguar Noura.

“Këtë herë, gabimi ishte imi që u përgjigja”.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika