Gazetari dhe moderatori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri ka bërë të ditur se pas paralajmërimit për trajtimin e temës rreth ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe, siç e quajti ai, “nëntokës së operacioneve abuzive”, ka përjetuar presione multipartiake.

Panduri ka thënë se gazetari Lirim Mehmetaj është duke hulumtuar tash e disa ditë rreth një prej kompanive më të mëdha në Kosovë për nga qarkullimi financiar – “Noa Energy Trade” e cila merret me shitblerje të energjisë elektrike.

Ai ka theksuar se, megjithë “sugjerimet” për të qenë i kujdesshëm në mënyrën se si trajtohet kjo temë e ndjeshme, nuk ka ndërmend të bie preh e presionit.

“Mua më kanë sugjeruar të kem kujdes se si e trajtoj këtë temë. Por, unë nuk merrem me ‘kujdes’. Unë bëj gazetari”, ka thënë Panduri.

Tutje, Panduri ka bërë të ditur se ka dërguar pyetje dhe ftesë zyrtare për pjesëmarrje në emisionin “Debat Plus” përfaqësuesve të kompanisë “Noa Energy Trade”.

Ndërsa kompania është përgjigjur në pyetjet e adresuara me shkrim, por se ata nuk janë përgjigjur pozitivisht në ftesën për të marrë pjesë në debat.