Papa Françesku hospitalizohet pas problemeve me frymëmarrje

Papa Françesku, për shkak të disa problemeve shëndetësore në organet e frymëmarrjes, është hospitalizuar në një spital në Romë

Shkaku i një infeksioni në organet e frymëmarrjes, Papa Françesku do të duhet t’i kalojë disa ditë në një spital në Romë, ka bërë të ditur Vatikani.

Në deklaratën e publikuar nga Vatikani thuhet se 86-vjeçari kishte pasur vështirësi në frymëmarrje gjatë ditëve të fundit, por se nuk ka COVID-19.

Më tutje, në deklaratë thuhej se ai ka nevojë për “disa ditë terapi adekuate mjekësore spitalore”.

“Papa Françesku është prekur nga mesazhet e shumta që ka marrë dhe shpreh mirënjohjen e tij për afërsinë dhe lutjet”, thuhet në deklaratë.

Stafi i tij më i afërt, përfshirë këtu edhe sigurimin, raportohet të ketë qëndruar me të në spital gjatë orëve të para të së enjtes, sipas një burimi të BBC.

Kjo është periudha më e ngarkuar e vitit për Papa Françeskun, pasi janë planifikuar shumë evente dhe shërbime para fundjavës së Pashkëve.

Këtë fundjavë ishte planifikuar një meshë e madhe, ndërsa festimet e Javës së Shenjtë dhe Pashkëve gjatë javës së ardhshme.

Në agjendën e tij ishte planifikuar edhe një vizitë në Hungari në fund të prillit.

Të mërkurën në mëngjes, ai kryesoi grumbullim e përjavshëm të përgjithshëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Ai dukej në gjendje të mirë shpirtërore, por u pa duke bërë grimasa teksa u ndihmua të hipte në automjetin e tij.

Vatikani fillimisht tha se Papa kishte shkuar në spital për një kontroll të paraplanifikuar, por mediat italiane hodhën dyshim mbi këtë pasi një intervistë televizive ishte anuluar në momentet e fundit.

Pas këtij lajmi, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i kërkoi publikut të bëjë një “lutje shtesë” për shërimin e Papës.

Biden, i cili është vetëm i dyti katolik romak që zgjidhet si udhëheqës i SHBA-së, e përshkroi gjithashtu Papën si një nga “figurat më të ngjashme me Krishtin që kam takuar ndonjëherë”.

Papa ka përdorur karrocë për të lëvizur gjatë muajve të fundit shkaku i disa problemeve me gjurin e tij.

Ai gjithashtu iu nënshtrua një operacioni për një problem me zorrën e trashë në vitin 2021. Në janar, ai tha se problemi i ishte kthyer.

Pavarësisht sëmundjeve të tij, Papa ka mbetur aktiv dhe ka udhëtuar jashtë vendit. Në shkurt, ai vizitoi Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut.

Në janar, Papa udhëhoqi funeralin e paraardhësit të tij në pozitë, Papa Benediktit XVI – i cili ishte Papa i parë në shekuj që dha dorëheqje vullnetarisht nga pozita e tij. Ai e kishte përmendur gjendjen e keqe shëndetësore si arsye për dorëheqje.

Papa Françesku ka thënë më parë se edhe ai mund të dëshirojë t’i ndjekë hapat e Benediktit në rast se shëndeti i tij përkeqësohet.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika