Paqartësi sa i përket tarifave për kalim nëpër Ngushticën e Hormuzit

Si pjesë e marrëveshjes që do të nënshkruhet gjatë kësaj jave, Shtetet e Bashkuara presin që Irani të mos vendosë tarifa për transportin përmes Ngushticës së Hormuzit, tha nënpresidenti amerikan, JD Vance, gjatë një interviste më 15 qershor.

Intervista e Vance për CNBC përkoi me një mesazh të ri nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili më 15 qershor shkroi:

“Anijet po nisin që të lëvizin – shumë nga to të mbushura me naftë – jashtë nga Ngushtica e Hormuzit. Anijet po kalojnë përgjatë ‘autostradës’ jugore, që është krejtësisht e sigurt”.

Ky pohim i Trumpit nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Duke u përgjigjur në pyetjen e CNBC-së lidhur me atë nëse ishte arritur një mirëkuptim me Iranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit pa vendosje të tarifave për një periudhë fillestare prej 60 ditësh ose më gjatë, nënpresidenti Vance tha: “Pritja jonë është që ngushtica do të hapet pa tarifa për një periudhë afatgjatë. Kjo është një gjë që do ta zgjidhim në këto negociatat teknike”.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, tha në një konferencë për media se “për një periudhë të caktuar kohe, ne do të organizojmë qarkullim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit në përputhje me veprimet e palës tjetër”.

“Ne gjithmonë kemi thënë se nuk synojmë të mbledhim tarifa për kalim, por do të përcaktojmë dhe mbledhim tarifat e nevojshme për shërbimet që do të ofrojmë, si shërbimet e lundrimit, mbrojtja e mjedisit, ndoshta sigurimi i anijeve dhe shërbime të tjera që do të ofrohen nga Irani dhe Omani”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar më herët se një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit është planifikuar të nënshkruhet së shpejti dhe se Ngushtica strategjike e Hormuzit do të rihapet.

“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është e kompletuar”, shkroi Trump në Truth Social duke njoftuar marrëveshjen të dielën vonë, e cila do ta hapë një periudhë 60-ditore për të mundësuar bisedime për një marrëveshje më të hollësishme për paqe midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit nisën më 28 shkurt dhe që nga nisja e luftës, Ngushtica e Hormuzit praktikisht është mbyllur nga Irani. Nëpër këtë rrugë jetike ujore kalon rreth një e pesta e dërgesave të naftës dhe gazit në botë./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika