Marrëveshjes së arritur të shtunën në Ohër, që në ditët e para i janë paraqitur probleme në terren.

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që Serbia të dënohet për moszbatim të marrëveshjes, pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se nuk do ta lejoj anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Për neve kjo është e një marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtar që të gjykojnë, dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takimet thotë se nuk nënshkruaj, ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatojë asgjë. Nuk mund të flas kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara. Nuk mund të flasë se kurrë nuk do të njoh Kosovës, pasi marrëveshja bazë është njohje de-facto”, ka deklaruar Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Implementimi i marrëveshjes, Kurti ka theksuar se do të duhej të niste qysh dje, përderisa ka dhënë pak detaje se si do të ndodhë vetëmenaxhimi i duhur i komunitetit serb në Kosovë.

“Për neve bëhet fjalë për një formulim që i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë Konventës Kornizës për mbrojtjen e pakicave kombëtare të Këshillit të Evropës”, ka deklaruar ai.

Në Kosovë vlerësohet se tashmë veçse ekziston një lloj vetëmenaxhimi nga Komunat  Këtë e thotë ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

“Nuk është problemi tek termi vetmenaxhim, sepse komunat e kanë atë të drejtë të vetqeverisin ose të vetmenaxhojnë ato kompetenca të cilat e parashikon ligji dhe ato kompetenca të cilat i kanë delegu nivelet qendrore… Na mbetet me e pa se për çfarë statuti dhe për çfarë trupi do të bëhet fjalë në të ardhmen”, ka  deklaruar Sadri Ferati, ish-ministër i Pushtetit Lokal.

Kosova dhe Serbia u dakorduan në Ohër që brenda 30 ditësh të bëhen pjesë e një Komiteti Monitorues, që drejtohet nga BE-ja.

Bashkimi Evropian akoma nuk ka dhënë detaje se si do të formohet ky komitet dhe çfarë kompetencash do të ketë.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, se marrëveshja krijon një status-quo të re në dialog, duke shmangur kështu menaxhimin e krizave.

Gjithë marrëveshja, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presin që të implementohet shpejtë, pasi edhe konferenca e donatorëve është planifikuar që të organizohet brenda 150 ditë.

Mirëpo, kjo nuk do të ndodhë pa u zbatuar pikat tjera të ujdisë.