Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të protestojnë pasditen e së shtunës(sot) me fillim nga ora 18:00, në Prishtinë.

Në lidhje me këtë protestë shumë vetura të policisë së Kosovës me dhjetëra pjesëtarë dhe ekipe të zjarrëfikësve janë vendosur në oborrin ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë.

Kjo protestë u lajmërua nga kryetari i OVL-UÇK-së në Pejë, Gazmend Syla.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet në kundërshtim të “skandaleve qeveritare”, që lidhen edhe me miratimin e pagës minimale, nga e cila janë lënë jashtë veteranët.

“Kundër koordinimit me Milan Radojçiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK! Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe antiUÇK”, thuhet në njoftimin për protestë.

Gjithashtu, kanë filluar edhe përgaditjet e protestës.