Fshati Muçivërc i Komunës së Kamenicës po organizon një protestë për lirimin e ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili ndodhet në paraburgim në Serbi.

Arrestimi i tij është kryer në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi, dhe autoritetet serbe tashmë i kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji nën dyshimin për “vrasje të rëndë” në Banjskë, ku një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në një ftesë publike, organizatorët e protestës bëjnë thirrje që të gjithë qytetarët, deputetët pa dallime partiake, si dhe asamblistët e Komunës së Kamenicës t’i bashkohen protestës për të ngritur zërin kundër kësaj padrejtësie.

Protesta do të zhvillohet më 15 qershor, ditën e diel, duke filluar nga ora 12:00 në Pompen e derivateve “Albin Petrol”, ndërsa protestimi vetë nis nga ora 13:00 dhe do të vazhdojë deri te kufiri me Serbinë.

“Ju ftoj që të na bashkoheni me datën 15.06.2025, ditën e dielë që të jeni prezent në protestën e organizuar për lirim sa më të shpejtë për Arbnorin. Poashtu ftojmë të gjithë deputetët e Kosovës, pa dallime partiake të na bashkohen, po ashtu asamblistët e Komunës tonë që ta ngrisim zërin për këtë padrejtësi. Ky organizim fillon nga Pompa e derivateve “Albin Petrol” nga ora 12:00, kurse protestimi në orën 13:00, ku vazhdojmë deri te kufiri me Serbinë!”, thuhet në njoftim.