Zyrtarët korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë kanë parandaluar një rast kontrabande, gjatë një kontrolli të rregullt të perimetrit të jashtëm të institucionit, ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit janë zbuluar dhe konfiskuar tri pako që dyshohet se përmbanin materiale kontrabandë. Brenda tyre janë gjetur dy telefona mobil të markës iPhone, dy telefona mini, tri paketime me substancë narkotike të dyshuar si marihuanë, si dhe tri koka të adaptuara për mbushje.

“Në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, gjatë kontrollit të perimetrit të jashtëm nga zyrtarët korrektues, janë zbuluar dhe konfiskuar tri pako me kontrabandë.

Gjatë kontrollit janë gjetur dy telefona mobil iPhone, dy telefona Mini, tri paketime me marihuanë si dhe tri koka të adaptuara për mbushje.
Dyshohet se kontrabanda është hedhur nga jashtë perimetrit të Qendrës së Paraburgimit Mitrovicë. Lidhur me rastin është njoftuar Policia, ndërsa Qendra e Paraburgimit Mitrovicë ka nisur hetimet e brendshme.
Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë me kontrolle të vazhdueshme dhe zbatim rigoroz të masave të sigurisë, me qëllim parandalimin e veprimeve të kundërligjshme dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë në institucionet korrektuese, thuhet në njoftim.