Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar në lidhje me bastisjet e Policisë së Kosovës në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

Sveçla ka bërë të ditur se kishte aktivitet të dyshimtë nga një organizatë joqeveritare, e cila ishte e vendosur aty.

“Në mëngjesin e sotëm kemi pranuar informatën mbi aktivitetin e dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla ka thënë se një veprimtari e tillë në mes të institucioneve më të larta të sigurisë paraqet rrezik për sigurinë e vendit.

“Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit. Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit.

Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, ka shkruar më tej Sveçla.

Edhe Prorkuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar bastisjen e një objekti afër Stacionit të Policisë në Prishtinë.

Sipas njoftimit, në atë objekt dyshohet se janë ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetime Rajonale në Prishtinë, është duke u realizuar bastisje në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt”, thuhet në njoftim.