Ndërtimi i parkingut nëntokësor në qendër të Prishtinës ndryshoi edhe pamjen në këtë pjesë të kampusit të Universitetit të Prishtinës.

Në mesin e kësaj hapësire ishte e vendosur edhe shtatorja e profesorit Fehmi Agani, për veprën dhe kontributin e tij ndaj universitetit, por jo vetëm.

Mirëpo ajo u hoq nga ky vend kur filluan punimet, ndërsa kur inagurimi i këtij projekti do të bëhet për pak ditë, shtatorja nuk është i është rikthyer vendit që i përkiste.

Megjithatë, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka treguar për RTV Dukagjini se në fund të muajit nëntor do të bëhet ri-vendosja e shtatores.

“Vendosja e saj do të bëhet në fund të muajit nëntor, ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur, po ajo që thash qëndron”, ka thënë Zogaj.

E bashkë me shtatoren e Profesor Fehmi Agani, do të vendoset shtatorja edhe e një veprimtari të shquar shqiptar, vendim të cilin komuna e Prishtinës ka kohë që e ka marrë.

“Përveç shtatores së Prof. Fehmi Agani, do të bëhet edhe vendosja e shtatores së Anton Çettes”, ka shtuar ai.

E, kritika për punën që është bërë në këtë projekt, ka opozita në kryeqytet.

“Nuk e kanë hallin te vleresimi i figurave të rëndësishme historike të kombit e as të gjelberimi dhe hapësirat e përbashkëta publike por prioritet i kanë dyqanet, ëmbëltoret dhe betonimin. Premtimet dhe zotimet kanë qenë që gjendja në kampusin e Fakultetit Filologjik do të kthehet siç ka qenë para fillimit të punëve për parkingun nëntokësor. Kjo nuk ndodhi. Tani kemi shumë më tepër beton e shumë më pak hapësira për studentët”, ka potencuar Sveçla.

Pas raportimit në media që ka pasur rrjedhje të ujit brenda parkingut, ka folur Drejtori i “Parking Center”, i cili ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, nuk ka pasur rrjedhje të ujit prej jashtë, parkingu është në pastrim e sipër edhe pse e kemi pastruar 5 herë me makinat qe i përdorim, mirëpo e kemi pastruar edhe me ujë, pra me zorrë. Parkingu do të jetë në mirëmbajtje 24 orë. Nëse pjesa e nivelit -1 është e tharë, pjesa e nivelit -2 do të jetë e lagur për arsye se makineritë non-stop punojnë, punëtorët punojnë 24 orë”, ka theksuar Fazliu.

Qeverisja e kaluar në Prishtinë kishte paralajmëruar rikthimin e drunjve shumëvjeçarë të zhvendosur para se të niste ndërtimi i parkingut, por qeverisa aktuale nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Mbi hapësirat e këtij parkingu me 530 vende, janë mbjellur drunj të ri.