Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka njoftuar se marshi protestues i paralajmëruar për nesër organizohet nga Parlamenti Studentor i UP-së, në bashkëpunim me parlamentet studentore të universiteteve publike në Kosovë.
Sipas njoftimit, marshit pritet t’i bashkohen edhe universitetet private të Kosovës.
“Duke iu bashkuar këtij marshi protestues, universitetet private të Kosovës po i japin edhe më shumë hijeshi kësaj nisme dhe po tregojnë se të gjithë studentët e Kosovës janë bashkë për UÇK-në”, thuhet në njoftim.
Parlamenti Studentor u ka bërë thirrje të gjithë studentëve dhe pjesëmarrësve që të marrin pjesë pa maska, duke theksuar se protesta është në të drejtën e tyre dhe se nuk kanë “nga çfarë të fshihen”.
Po ashtu, në njoftim thuhet se për marshin është njoftuar me kohë edhe Policia e Kosovës.
“Secili veprim që bie ndesh me ligjin do të ketë pasoja ligjore individuale, prandaj ju ftojmë për një marsh protestues paqësor”, thuhet në njoftim.