Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se gjatë një inspektimi në një objekt ndërtimi në Podujevë janë evidentuar parregullsi në zbatimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, Inspektorati ka bërë të ditur se, për shkak të mangësive të konstatuara, është marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve.
“Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këtë objekt, deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës”, thuhet në njoftim.
Inspektorati ka theksuar se mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, duke apeluar te punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.
“Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.