Afër gjysmë milioni euro është shuma që Lëvizja Vetëvendosje i ka shpenzuar gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Sipas raporteve të shpenzimeve për muajt prill, maj dhe qershor të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, VV-ja që është partia më e madhe në vend, ka harxhuar gjithsej 498 mijë e 800 euro.

Prej tyre, sipas raportit, mbi 237 mijë euro kanë shkuar për paga, kurse për mallra dhe shërbime, ku përfshihen edhe drekat zyrtare, pagesa e qirasë, furnizimet për zyrë, ushqim dhe akomodim, janë shpenzuar mbi 256 mijë euro.

Vetëm për dreka zyrtare, sipas raportit, partia e Albin Kurtit për tre muaj ka harxhuar 49 mijë e 220 euro.

Rreth përgjysmë më pak ka harxhuar Partia Demokratike e Kosovës, e cila për këtë periudhë ka deklaruar shpenzimet në vlerë 263 mijë e 753 euro.

Prej kësaj shume, partia e udhëhequr nga Memli Krasniqi ka shpenzuar mbi 153 mijë euro për paga, kurse për mallra dhe shërbime mbi 107 mijë euro.

Ndërsa për drekat zyrtare, partia e dytë në vend, ka harxhuar 4 mijë e 49 euro për periudhën tre mujore.

Tridhjetë e tre mijë euro më pak se PDK-ja, gjatë kësaj kohe ka shpenzuar Lidhja Demokratike, gjithsej 230 mijë e 211 euro, ku shumica kanë shkuar për paga dhe mallra e shërbime.

Për dreka zyrtare nuk figuron asnjë cent i shpenzuar, por ajo që bie në sy te partia e drejtuar nga Lumir Abdixhiku janë shpenzimet për marketing, që janë në vlerë të 48 mijë e 438 eurove.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpenzuar gjithsej 54 mijë e 684 euro. Prej tyre, 10 mijë e 961 euro kanë shkuar për paga, kurse pjesa tjetër për mallra dhe shërbime.

Për dreka zyrtare dhe për marketing nuk figurojnë shpenzime në raportin e AAK-së. Në total katër partitë më të mëdha parlamentare i bie se për tre muaj kanë shpenzuar 1 milionë e 47 mijë euro.