Partitë politike pajtohen për konstituimin e Kuvendit, por ende pa zgjidhje për Presidentin

Brenda pak minutash partitë politike kanë arritur konsensus për rendin e ditës që do jetë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 6 gusht. Por, nuk dihet se si do vazhdohet me çështje të tjera, e sidomos për zgjedhjen e presidentit.

Pak ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka pritur përfaqësuesit e partive politike në takim.

Haxhiu tregoi se është vendosur për caktimin e rendit të ditës së kësaj seanca që mbahet më 6 gusht, e ku pritet të zgjedhen kryetari i Kuvendit e nënkryetarët.

Nga dita e konstituimit nis të rrjedhë afati për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, për çka ushtruesja e detyrës së presidentes ka mirëpritur rikthimin e LDK-së në diskutime me Lëvizjen Vetëvendosje për të përmbushur këta hapa, që nëse nuk ndodhin, e çojnë vendin në zgjedhje.

“Është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë pra ato të thirren dhe të mbahen të ketë përpjekje maksimale, seriozitet që të arrihet një marrëveshje me të cilën arrim të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit, pra është shumë e rëndësishme që të fillojnë sa më parë”, u shpreh Haxhiu.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike u shprehën optimist në gjetjen e një zgjidhjeje për të shmangur zgjedhjet, duke iu referuar një bashkëpunimi të mundshëm mes tyre.

“Nuk ka marrëveshje në parim, ka pas një takim të parë, i cili sic është bërë me dije për publikun edhe nga ana e z.Kurti dhe z,Abdixhiku ka qenë në një frymë konstruktive që ka qenë frytdhënëse për diskutim tutje, deri më tani nuk ka asnjë dakordim për pozita të caktuara”, u shpreh deputetja e zgjedhur e VV-së, Arbërie Nagavci.

“Dialogu mbi partneritenin dhe një marrëveshje eventuale ndërtohet para së gjithash mbi parimet edhe mbi pozitat por fillimisht duhet të dakordohemi mbi parimet, qëllimet objektivat e programit tonë kah dojm me orientu Kosovën në vitet e ardhshme”, tha deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku.

Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë ripërsëritur qëndrimet e tyre se nuk duan bashkëqeverisje me Vetëvendosjen.

“Jemi vite larg me LVV-në dhe shohim fare pak hapsirë për bashkëpunim, këtë qëndrim e kemi bërë të qartë mirëpo kjo nuk dmth që nuk bashkëpunojm kur janë në pyetje konstituimi i institucioneve dhe interesat e qytetarëve të Kosovës, por jo në qeverisje”, deklaroi deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku.

“Ne nuk duam të jemi pjesë e qeverisë dhe rrjedhimisht mos të marrim asnjë hise asnjë privilegj asnjë pozitë në qeverinë e Kosovës mirëpo ne e njohim një situatë tepër të rrezikshme të Kosovës të përfundimit të cikleve zgjedhore prej një cikli në një cikël”, tha Besnik Tahiri nga Aleanca.

Seanca konstituive e Kuvendit është thirrur për datën 6 gusht, e duhet të përfundojë më së largu më 7 gusht, sepse tashmë me këtë datë konsumohet afati kushtetuese prej 30 ditësh.

 

Të fundit nga rubrika