Pas më shumë se 30 minutash vonesë ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, e cila është vazhdimësi e seancës së mbajtur të premten për Projektligjin për Buxhetin e vitit 2026.
Në rend dite është vetëm një pikë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-001 për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Ky projektligj ishte paraparë të shqyrtohej edhe në seancën e së premtes, mirëpo partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë shmangien nga afatet procedurale për shqyrtim në parim.
Partitë opozitare kundërshtuan trajtimin me urgjencë të projektligjit, duke kërkuar së paku tri ditë kohë për analizimin e materialit prej rreth 700 faqesh, i cili u ishte dorëzuar nga ekzekutivi gjatë ditës së premte.
Sipas opozitës, buxheti i propozuar nuk reflekton premtimet e kryeministrit Albin Kurti, si dhe nuk pasqyron strukturën e re të kabinetit qeverisës, të cilit i janë shtuar edhe katër ministri.