Pas aktgjykimit të Supremes, Qeveria vë në konsultim publik 7 udhëzime administrative
Më 7 Korrik, Gjykata Supreme nxori aktgjykimin që shpalli të jashtëligjshëm udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi i njëjti ishte certifikuar si deputet. Por edhe pas publikimit të këtij aktgjykimi, Qeveria – e cila është në detyrë që nga 27 Marsi – ka hapur konsultime publike për shtatë […]
Më 7 Korrik, Gjykata Supreme nxori aktgjykimin që shpalli të jashtëligjshëm udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi i njëjti ishte certifikuar si deputet.
Por edhe pas publikimit të këtij aktgjykimi, Qeveria – e cila është në detyrë që nga 27 Marsi – ka hapur konsultime publike për shtatë projekt akte të reja nënligjore.
Në të gjitha rastet drejtuesit e institucionit janë edhe deputetë përfshirë: Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Arsimit, atë të Jashtme dhe atë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Për disa prej projekt-udhëzimeve konsultimet mbyllen së shpejti.
Megjithatë, për miratimin eventual të tyre, sipas juristëve, duhet pritur krijimin e Qeverisë së re.
Pasi tha se neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk krijon kufizime për ekzekutivin në detyrë në raport me miratimin e udhëzimeve administrative, juristi Ardian Bajraktari sqaroi se situata ndërron për faktin se kryeministri dhe ministrat përkatës, në detyrë, janë edhe deputetë.
“Miratimi i akteve nënligjore nuk hyn në domenin e veprimeve të ndaluara të Qeverisë në dorëheqje, përkatësisht në detyrë. Megjithatë, vlen të theksohet, që sipas standardit tashmë të vendosur nga Gjykata Supreme, kur kemi të bëjmë me papajtueshmëri, sipas nenit 72 të Kushtetutës, çdo akt i nënshkruar ose miratuar nga ana e kryeministrit, përkatësisht ministrave, të cilët janë të certifikuar, përkatësisht janë betuar si deputetë, është në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Bajraktari.
Në rast se vazhdohet me miratimin e tyre, hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, tha se aktet rrezikojnë atakimin në Supreme dhe nënshkruesit rrezikojnë pasoja ligjore.
“Ekziston një precedent gjyqësor ose një aktgjykim i Gjykatës Supreme, si instancë më e lartë, i cili e ka sqaruar që mënyra e tillë e vendimmarrjes është e kundërligjshme. Pra, nuk është në pyetje ose nuk është ideja a ka të drejtë Qeveria, si organ, me nxjerrë vendime të tilla, por ideja është që zyrtarët përkatës bien ndesh, në konflikt interesi, në këtë rast që mbajnë dy funksione edhe anëtar i kabinetit qeveritar edhe anëtar i Kuvendit, atëherë vendimmarrja mund të konsiderohet e jashtëligjshme”, ka thënë Bugaqku.
Qeveria nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit Dukagjini lidhur me vënien në diskutim publik të projekt-udhëzimeve të reja administrative, procedurë që i paraprin miratimit.















