Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Në një konferencë për media, Ismaili e ka kritikuar iniciativën e Haxhiut, duke thënë se ajo do të duhej t’i drejtohej kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, me kërkesën për thirrjen e seancës.
Sipas tij, ftesa për takim përbën një përpjekje për të shtyrë afatet në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“E para, kjo është edhe një tentativë manipulimi e zotit Kurti me shtyrjen e afateve kundrejt afatit të Gjykatës Kushtetuese, pra është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë Kuvendin. Sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo pushtet politik funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi është i suspenduar”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka theksuar se PDK-ja nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Haxhiut.
“Çfarë logjike ka kjo, qysh mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra… ajo ish dashtë që letrën e parë t’ia dërgojë Deharit… PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, ka thënë Ismaili.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur gjatë së shtunës se e ka refuzuar ftesën për takim.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim konsultativ të martën, më 18 gusht, në orën 09:00.
Presidenca e Kosovës ka konfirmuar ftesën, e cila u është dërguar veçmas përfaqësuesve të subjekteve politike.
Sipas përmbajtjes së ftesës, takimi do të fokusohet në zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
