Avokati Besnik Berisha iu është kthyer seancave ku ka përfaqësuar palë të ndryshme në gjykatë, por të mërkurën pati edhe një angazhim tjetër që e caktoi vet: konferencën për media të thirrur pasi u lirua nga mbajtja, ku u dërgua nën dyshimet për disa vepra penale.

Nga aty, Berisha, për rastin e tij nuk ka ndalur kritikat, duke e konsideruar atë si një hakmarrje politike për deklarata të tij.

Në veçanti, kritikat i ka adresuar ndaj prokurorit Rasim Maloku, ndaj të cilit, prezantoi edhe disa dokumente që sipas Berishës, tregojnë për jo-profesionalizmin e prokurorit, për çka ka bërë edhe një ftesë për Prokurorin e Shtetit.

“Të arrestohem unë ose prokurori Maloku…”, ka deklaruar ai.

Berisha që ka një përvojë të gjerë në fushën e avokatisë, thotë se veprimet e Malokut kundër tij, ishin të koordinuara me pushtetin, respektivisht me ministren Albulena Haxhiu e cila edhe ka paralajmëruar padi ndaj avokatit.

“Albulena Haxhiu është e padijshme… avokati që ka angazhuar ka probleme me kodin e etikës së avokatisë”, ka thënë ai.

E kësaj akuze të Berishës iu përgjigj avokati i angazhuar nga ministrja Haxhiu, Nasuf Hasani.

“Kolegu sikurse e pranoj vet është pjesë e këshillit të përgjithshëm të një partie politike dhe kjo është mjaftueshëm për të ditur kush ka bërë shkelje të etikës…”, ka thënë Hasani.

Ndërkohë sipas Hasanit, padia ndaj Berishës do të deponohet pasi që në konferencë nuk është paraqitur asnjë provë ndaj pretendimeve që i ka avokati Berisha kundër ministres Haxhiu.

Dukagjini ka tentuar të marrë një përgjigje për pretendimet e Berishës nga prokurori Maloku, e po ashtu ka adresuar pyetje në drejtim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, ku i njëjti ushtron detyrën e tij mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë shoqata sindikale e Prokurorëve të Kosovës, gjatë së martës ka dënuar gjuhën e përdorur nga avokati Besnik Berisha në drejtim të prokurorit Rasim Maloku.

Berisha, nën dyshimet për kryerje të veprave penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, “ushtrim i ndikimit” dhe “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” u arrestua në një aksion të policisë, që prangosi edhe 6 persona të tjerë.

Por, gjykata e Ferizajt, refuzoi kërkesën e Prokurorisë në këtë komunë, që t’i caktohej masa e paraburgimit, duke i caktuar masën e ndalimit të afrimit ndaj personit apo vendit të caktuar.