Pas gjashtë ditësh nën rrënoja, nxirret gjallë një djalë trevjeçar në Venezuelë

Një djalë trevjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat gjashtë ditë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën, kanë bërë të ditur ekipet jordaneze të shpëtimit.

Fëmija, i identifikuar si Klieber Morán, u gjet nën rrënoja në shtetin La Guaira. Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, e cilësoi shpëtimin e tij si një “burim shprese për popullin tonë”.

Ekipi i Mbrojtjes Civile të Jordanisë njoftoi se menjëherë pas nxjerrjes nga rrënojat, vogëlushit iu dha ndihma e parë dhe më pas u transportua në spital. Sipas presidentit të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Jorge Rodríguez, ai po trajtohet në kryeqytetin Karakas dhe gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme.

Shpëtimi i Klieberit ndodhi shumë përtej periudhës kritike prej 72 orësh pas tërmetit, kohë gjatë së cilës ekspertët thonë se personat e bllokuar nën rrënoja kanë shanset më të mëdha për të mbijetuar.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se dhjetëra mijëra njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim dhe strehim.

Bilanci i viktimave nga tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që goditën vendin javën e kaluar, ka arritur në 1.943 të vdekur, ndërsa më shumë se 10.000 persona janë plagosur dhe dhjetëra mijëra të tjerë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.

Sipas një vlerësimi paraprak të bazuar në të dhënat satelitore të NASA-s, rreth 58.870 ndërtesa mund të jenë dëmtuar ose shkatërruar nga lëkundjet e forta sizmike.

La Guaira mbetet një nga zonat më të goditura, ku shumë banorë po përpiqen të kryejnë vetë operacione kërkim-shpëtimi.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët njoftoi se mungesa e ushqimit është përhapur gjerësisht, shërbimet bazë janë ndërprerë dhe komunikimet në pjesën më të madhe të La Guairës janë shkëputur.

“Po rriten tensionet mes komuniteteve, pasi qasja në ndihma vazhdon të jetë e kufizuar”, thuhet në deklaratën e agjencisë.

Një 18-vjeçare nga La Guaira, e plagosur pasi ra nga motoçikleta gjatë tërmetit, deklaroi për AFP se ndihmat po shpërndahen, por jo mjaftueshëm.

“Nganjëherë njerëzit pothuajse vrasin njëri-tjetrin për një copë ushqim. Është si një luftë”, tha ajo.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika