Po kryen disa prej punëve të fundit si kryetar i Gjykatës Supreme.

Enver Peci, tashmë i propozuar nga Kuvendi për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, së shpejti do të jap dorëheqje nga pozita e tij në shkallën e tretë të drejtësisë, për t’i hapur rrugë detyrës së re.

“Kam shprehur dëshirë që të bëhen pjesë e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim sidomos të ndihmës në kuptimin e zgjidhjes së çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, ku 80% e rasteve vijnë nga gjyqësori dhe kjo ka qenë arsyeja që prej pozicionit si gjyqtar në atë gjykatë mundem me i ndihmu në rend të parë zbatimit të ligjit dhe procedurave gjyqësore në gjykatat e rregullta, në mënyrë që të bëhet një koordinim më i mirë”, ka thënë Peci.

Peci morri drejtimin e Supremes në vitin 2017. Prej asaj kohe, ai thotë se bën disa punë të mira.

“Në vitin 2018 e kemi miratuar një udhëzues të përgjithshëm për politikë ndëshkimore. Ka qenë filli i një iniciative që ka lindë vetëm në Kosovë, kohët e fundit po kërkojnë ndihmë edhe Mali i Zi edhe Bosnja”, ka shtuar ai.

Por, përgjatë kësaj kohe, Peci megjithatë e pranon se jo të gjitha rastet përfunduan me dënime meritore.

“Është fakt që dukuria e parashkrimeve ka qenë një prej problematikave më të mëdha në sistemin gjyqësor. Ne i dijmë shkaqet dhe arsyet pse ka ardhë deri dikund, por ka edhe lëshime subjektive”, ka vijuar më tej.

Zgjedhjen e dikujt me përvojë në sistemin e rregullt gjyqësor si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, e sheh vendim të duhur, Gzim Shala nga IKD.

“Unë besoj se është vlerë për Gjykatën Kushtetuese nëse e merr një gjyqtar të Gjykatës Supreme, një gjyqtar që vie nga praktika e gjyqësorit të rregullt dhe definitivisht në këtë rast rritë profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese, në rast se vijnë gjyqtar nga gjyqësori i rregullt, që kanë kaluar një kohë të gjatë në gjyqësorin e rregullt”, është shprehur Shala.

Peci gjatë së enjtes, me 66 vota për, u propozua nga Kuvendi tek Presidentja, për emërim në Kushtetuese.

Votimi ka dështuar për dy kandidatët e tjerë, Bardh Bokshi e Dukagjin Abdyli, prandaj konkursi për një gjyqtar tjetër duhet përsëritur.