Pas konvertimit të targave në RKS – digjet një veturë në Leposaviq

Një veturë në Leposaviq është djegur gjatë mbrëmjes të së mërkurës të 26 tetorit. E njëjta kishte konvertuar targat në RKS

Ilustrim





Në mesnatën e 26 tetorit, një automjet i tipit Volswagen Bora është djegur në Leposaviq.

Sipas burimeve të KP, pos dëmeve materiale, nuk ka të lënduar në njerëz.

Ngjarja thuhet se është ndërlidhur me regjistrimin e automjetit në targa RKS, dhe se e njëjta veturë është djegur me qëllim nga autorë të panjohur.

Kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq.

“Në rrugën pranë çerdhes së vjetër në Leposaviq, është djegur automjeti VW ngjyrë hiri, pronë e C. N. (1991) me targa të Kosovës. Në vendin e ngjarjes janë ekipet e zjarrfikësve, policisë, si dhe inspektorët, ndërsa është informuar edhe prokurori i shtetit, i cili e ka karakterizuar incidentin si ‘zjarrvënie’. Hetimet janë në zhvillim”, ka thënë ai.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 19 shtator kishte njoftuar se një oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale.

Të njëjtat i kanë djegur veturën, pasi oficeri në fjalë e kishte regjistruar me targa legale të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se ky nuk ishte rasti i vetëm përgjatë ditës së sotme.

“Njëjtë, sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur depo e qytetarit serb në fshatin Grabovc të Komunës së Zveçanit, pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij. Të dyja rastet janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Sveçla.

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat?

Marrëveshja për targat midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011, në Bruksel.

Automjetet me targat serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës si PR, KM, GL, e të tjera, është dashur të regjistrohen sërish në RKS ose me status neutral – KS.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, shumica e popullsisë serbe që jetojnë në katër komunat në Veri të Kosovës, kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë.

Të njëjtat lëshoheshin nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Ndërkaq, qytetarët e Kosovës nuk lejoheshin të hynin në territorin e Serbisë me targa RKS.

Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme, për të cilat kanë paguar rreth pesë euro, të vlefshme për 60 ditë.

Me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjera të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Kjo periudhë pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator të vitit 2021.

“Ky ishte afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator të po të njëjtit vit, teksa kishte shtuar se këto targa do të konfiskohen.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë përkoi me skadimin e targave KS (Kosova), neutrale ndaj statusit, me të cilat mund të shkohej në territorin e Serbisë pa targa provuese.

Qeveria e Kurtit njoftoi se qytetarëve në veri të Kosovës do t’u hiqen të gjitha targat KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat janë të paligjshme për Kosovën.

Më 18 gusht 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë raundit të dialogut në Bruksel, dështuan të arrinin marrëveshje për targat dhe dokumentet, që rritën tensionet mes shteteve.

Por, unioni ndërkombëtar u angazhua për të bindur palët që të arrinin marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e situatës më një shtator, kur duhej të hynte në fuqi vendimi për dokumentet serbe, por edhe për targat.

Kosova, më një gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës.

Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria e Kosovës shtyu vendimin për 1 shtator.

Kjo me kërkesë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili e ka kërkuar shtyrjen e implementimit të reciprocitetit të targave dhe të dokumenteve hyrëse-dalëse për 30 ditë.

Hovenier kishte thënë se vendimi për reciprocitetin për letërnjofime dhe targa është plotësisht i përshtatshëm dhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, porse ka kërkuar shtyrjen për 30 ditë, pasi sipas tij ka pasur dezinformata e keqkuptime ndaj vendimeve.

Megjithatë, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika