Pas PDK-së, edhe LDK-ja i drejtohet Kushtetueses për bllokadën në Kuvend
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvend, që sipas saj përbëjnë shkelje të rendit kushtetues dhe të parimeve demokratike. Kjo kërkesë vjen në vazhdën e krizës që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit. Deputeti […]
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvend, që sipas saj përbëjnë shkelje të rendit kushtetues dhe të parimeve demokratike.
Kjo kërkesë vjen në vazhdën e krizës që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit.
Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, deklaroi se lënda e dorëzuar synon të ndalojë ndryshimin e procedurës së votimit për kryetarin e Kuvendit dhe të rikthejë rendin kushtetues.
“Rregullorja e Punës e Kuvendit e ka të përcaktuar qartë se procedura nuk mund të ndryshojë. Duhet të vazhdojë votimi i hapur dhe të konstituohet Kuvendit, të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit”, ka thënë Manaj.
Ai shtoi se mungesa e vullnetit politik për të respektuar rendin e ditës dhe për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese po e çon vendin në krizë institucionale.
“Nuk ka vullnet politik që ta ndryshojë rendin e ditës. Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që këtë rast ta trajtojë sa më shpejt në mënyrë që të kthehet normaliteti në vend dhe të formohen institucionet. Në këtë mënyrë, i jepet mundësia çdo deputeti që të votojë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”.
“Gjykata e ka përcaktuar që rendi i ditës duhet të respektohet dhe të gjitha praktikat si më herët… Kushtetuta është shkelur edhe pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe njëra ndër pikat ka qenë që të mos shkelet më rendi nga kryesuesi Avni Dehari”, ka thënë Manaj.
Në të njëjtën linjë, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese një ditë më parë, duke kontestuar veprimet gjatë seancave konstituive të 29 qershorit, 1 dhe 3 korrikut, përfshirë propozimin, votimin dhe mosmiratimin e Komisionit për votim të fshehtë si dhe ndërprerjen e seancës.















