Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës që do të mbahen me 7 qershor ka thënë se ai do të mbështesë Listën Serbe.
Ai në një intervistë për mediumin shtetëror serb, RTS është pyetur se cilat janë pritjet e tij nga zgjedhjet në Kosovë, Vuçiq është përgjigjur se do ta mbështesë Listën Serbe me të gjitha forcat e tij.
“Ne do të luftojmë. Ne do ta mbështesim Listën Serbe me të gjitha forcat tona, do të luftojmë për pozicionet e popullit serb. Dhe shqiptarët do të bëjnë gjithçka që munden për të mposhtur serbët, për të mbështetur me forcë shërbëtorët e tyre dhe ata që duan ta shkatërrojnë Serbinë”, theksoi Vuçiq.
Vuçiq tutje është pyetur edhe për Asociacionin e Komunave serbe, ku ka thënë se po pritet një ‘momentum’ i duhur sepse sipas tij është edhe mbijetesë për popullin serb që jeton në Kosovë.
“Po presim kur dhe në çfarë mënyre, shumë njerëz do ta kujtojnë se respektimi i Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk ka alternativë”, ka thënë ai.
Deklarimet e vazhdueshme dhe mbështetja e Vuçiqit për Listën Serbe është një dëshmi e ndërhyrjes nga jashtë në procesin zgjedhor demokratik të Kosovës.
Ditë më parë në Kosovë janë arrestuar shtatë persona të lidhur me Listën Serbe nën dyshimin për cenim të vullnetit të lirë të votuesve.
“Ose voto Listën Serbe ose humb punën” – Akuza për shantazh politik ndaj serbëve në Kosovë
