Izraeli ka ndërmarrë një sulm ajror në Bejrut për herë të parë që nga marrëveshja e armëpushimit me Hezbollahun, duke rritur frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit në Liban.
Sulmi ka goditur periferinë jugore të kryeqytetit libanez, zonën e njohur si Dahieh, e konsideruar bastion i Hezbollahut. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe ndërtesa të dëmtuara rëndë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se e kishte miratuar personalisht operacionin, duke theksuar se objektivi ishte një komandant i forcës elitare “Radwan” të Hezbollahut.
“Asnjë terrorist nuk është i paprekshëm, krahu i gjatë i Izraelit do të arrijë çdo armik dhe vrasës”, deklaroi Netanjahu.
Sipas mediave lokale, anëtarët e njësisë “Radwan” të Hezbollahut po zhvillonin një takim në momentin e sulmit. Deri tani, Hezbollahu nuk ka reaguar zyrtarisht.
Ky është sulmi i parë në Dahieh që pas shpalljes së armëpushimit më 16 prill, marrëveshje e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, pavarësisht dakordësisë, përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vazhduar pothuajse çdo ditë, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban, vetëm gjatë javës së fundit janë vrarë mbi 120 persona nga sulmet izraelite, përfshirë gra dhe fëmijë. Autoritetet libaneze nuk specifikojnë sa prej viktimave janë civilë apo luftëtarë.
Ndërkohë, ushtria izraelite vazhdon të mbajë nën kontroll një pjesë të territorit përgjatë kufirit me Libanin, duke deklaruar se synimi është krijimi i një “zone sigurie” pa praninë e Hezbollahut për të mbrojtur komunitetet në veri të Izraelit.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime serioze për shkatërrimin e fshatrave në Libanin jugor, duke paralajmëruar se disa nga veprimet mund të përbëjnë krime lufte.
Nga ana tjetër, Hezbollahu ka vazhduar sulmet ndaj forcave izraelite me raketa dhe dronë. Javën e kaluar, një punonjës i Ministrisë izraelite të Mbrojtjes u vra nga një dron në jug të Libanit.
Banorët e Dahieh, një zonë dikur e mbushur me jetë dhe popullsi të dendur, shprehen se ende kanë frikë të rikthehen në shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut të sulmeve të reja.
Ndërsa bisedimet diplomatike mes Izraelit dhe Libanit vijojnë me mbështetjen e SHBA-ve, tensionet në rajon mbeten të larta dhe situata shihet si tepër e brishtë.