Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ushtruesen e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Anna Carin Platon.

Në njoftimin e Zyres së Kryeministrit, thuhet se me ta është diskutuar për takimin e datës 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, Kosovë-Serbi.

“Duke folur për takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftim

Po ashtu, në njoftim thuhet se kryeministri Kurti, ka prezantuar elementet e “gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”.

Në këtë takim, siç njofton Zyra e Kryeministrit, është diskutuar edhe për marrëveshjen e targave dhe për “zhvillimet politike në vend si dhe situatën politike në rajon”.

Ambasadorët e QUINT-it, kanë kërkuar nga Kurti, që të ketë bashkëpunim ë veprimeve ndërmjet Qeverisë dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

Po ashtu, në njoftim thuhet se ambasadorët e kanë falënderuar Kurtin për “angazhimin pozitiv dhe konstruktivitetin në takimet në Bruksel”.