Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur optimizëm për hapat e ardhshëm diplomatikë drejt paqes në Ukrainë, duke theksuar se angazhimet e reja mund të pasojnë së shpejti përpjekjet e ndërmarra nga Moska dhe Uashingtoni.

Komentet e tij u bënë pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës në Turkmenistan.

Në bordin e aeroplanit gjatë kthimit, Erdogan u tha gazetarëve se Ankaraja synon të zhvillojë bisedime edhe me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të vlerësuar një plan të mundshëm për paqe.

“Pas këtij takimi me Putinin, shpresojmë të kemi mundësinë të diskutojmë planin e paqes edhe me Presidentin e SHBA-së Trump. Paqja nuk është larg; mund ta shohim”, deklaroi Erdogan, duke iu referuar dialogut të tij me udhëheqësin rus.

Ai theksoi se bisedimet me Putinin janë fokusuar në konfliktin e vazhdueshëm dhe iniciativat diplomatike ku përfshihet edhe presidenti Trump.

“Vlerësuam kontributet që Turqia mund të japë në përpjekjet për paqe”, tha Erdogan, duke shtuar se Ankaraja e sheh pozitivisht procesin e nisur përmes angazhimit të Trump.

Sipas tij, pozicioni i Turqisë në këtë proces është i qartë për të gjitha palët e përfshira.

“Ne folëm kryesisht për luftën dhe përpjekjet për paqe. Z. Putin, ashtu si edhe aktorët e tjerë, e di shumë mirë se ku qëndron Turqia në këtë çështje”, përfundoi Erdogan.