Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, raportohet se ka ftuar për konsultime lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, liderin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në letrën zyrtare të dërguar, Kurti thekson nevojën për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit, përfshirë edhe kryetarin e tij, duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe rregulloren përkatëse.

Takimi është paraparë të mbahet më 1 maj në orën 08:30 dhe ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja, konkretisht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kjo ftesë vjen në një kohë kur Kurti nuk po arrin të sigurojë shumicën për të përmbyllur konstituimin e Kuvendit, ndërsa zgjedhja e Haxhiut është bllokuar gjashtë herë radhazi.

Ende nuk ka një konfirmim nga ana e PDK-së dhe LDK-së për pranimin e kësaj letre, dhe mbetet e paqartë nëse Krasniqi dhe Abdixhiku do ta pranojnë ftesën.

Kujtojmë se Abdixhiku kishte refuzuar një takim të ngjashëm më 8 prill, duke e quajtur të papranueshme gjuhën e Kurtit gjatë dhe pas fushatës.