Pas vendimit të MINT-it për Klan Kosovën, gazetarët protestojnë në sheshin “Zahir Pajaziti”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës këtë të hënë do të protestojë në sheshin "Zahir Pajaziti" me moton "Demokracia vdes në errësirë", kundër pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Protesta planifikohet të fillojë të hënën në orën 12:00

Sheshi "Zahir Pajaziti" në Prishtinë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, ka njoftuar se të hënën, më 31 korrik, do të mbajë protestë në shenjë revolte kundër pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Protesta, e cila ka moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ftuar kolegët gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë të bashkohen në këtë protestë paqësore.

Ky akt nga ana e AGK-së vjen si një reagim ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, një ngjarje që ka shqetësuar komunitetin gazetar dhe organizatat e shoqërisë civile.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Protesta me moton ‘Demokracia vdes në errësirë’, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Me anë të kësaj proteste, AGK-ja synon të shprehë zemërimin dhe shqetësimin e tyre për situatën e tanishme dhe të mbrojë lirinë e shtypit dhe demokracinë në Kosovë.

Protesta paralajmërohet të jetë paqësore dhe ndërgjegjësuese, duke shprehur një thirrje të fuqishme për transparencë dhe përgjegjësi në vendimmarrjen institucionale.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), të premten, më 28 korrik, përmes një njoftimi bëri të ditur se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.

Kështu, ky komision ka konstatuar se ARBK-ja “në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.”.

“Goditja më të rëndë ndaj lirisë së medias në Kosovë”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, pas vendimit ka thënë se është i tronditur me vendimin e Qeverisë Kurti për mbylljen e Klan Kosovës, duke e cilësuar si “goditjen më të rëndë që i bëhet lirisë së medias në Kosovë që prej kohës së luftës”.

Kujtojmë se në qershor të këtij viti, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte ngritur një kallëzim penal kundër “Klan Kosovës”, me pretendimin se në certifikatën e biznesit të saj, te ndërrimi i pronarëve, janë shfaqur emrat “Pejë – Serbi” dhe “Gjakovë – Serbi”.

Klan Kosova e ka cilësuar të padrejtë pretendimin e ministrisë, duke thënë se “Klani i ka si dëshmi të gjitha dokumentet që konfirmojnë se pronari i kompanisë është i regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, me 4 korrik të këtij viti, Klan Kosova, kishte dorëzuar ankesë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës. Me të synohej të anulohet vendimi i datës 21 qershor për suspendimin e certifikatës së Biznesit.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika