Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është konfirmuar vrasja e Faton Hajrizit më 19 korrik në afërsi të fshatit Lloznicë në Serbi, përmes gjurmëve të shenjave të gishtërinjve.

Ministria e Punëve të Jashtme, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se gjurmët e gishtërinjve që kanë dërguar të hënën [sot] autoritetet serbe e që pretendohet se janë të personit të vrarë në Serbi, përshtaten me ato të Faton Hajrizit.

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Faton Hajrizi është i dënuar dhe me të kaluar kriminale e që nga 6 korriku është arratisur nga Burgu i Smrekronicës së Vushtrisë. Pas arratisjes së tij, Faton Hajrizi ka qenë aktin në rrjete sociale duke shpërndarë informacione të ndryshme të tij gjatë qëndrimit në burgjet e Kosovës.

Hajrizi, i arratisur nga një burg në Kosovë, sipas autoriteteve serbe vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Pasi më 19 korrik, Serbia pretendoi se Hajrizi u vra, autoritetet kosovare kërkuan që të konfirmohet identiteti i personit të vrarë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se dorasi i dyshuar i policit u vra në vendin e quajtur Banja Kovilaça, pasi autoritetet serbe kishin qenë në kërkim të tij që nga vrasja e policit.

Sipas tij, ai ishte fshehur buzë lumit Drina, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.