Pas vizitës në Kosovë, Lajçak niset për në Serbi

Emisari special i Bashkimit Europian në dialogun Kosovë – Serb, Miroslav lajçak, këtë të premte do ta vizitojë Serbinë

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 12 maj në Beograd.

Siç ishte paralajmëruar edhe më herët në Bruksel, Lajçak, i cili ishte në Prishtinë më 11 maj, tani do të qëndrojë në Serbi për të monitoruar zbatimin e asaj që është vendosur dhe rënë dakord në Bruksel dhe për t’i përgatitur hapat dhe takimet e ardhshme mes dy shteteve.

Po ashtu, Lajçak ka njoftuar se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, të hënën e 15 majit në Bruksel.

“Ne kemi Marrëveshjen, kemi Aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, është shprehur ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv, por shumë i rëndësishëm”, ka thënë ai.

I pyetur gjatë ditës se si e sheh zgjidhjen për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kur të dyja palët kanë pikëpamje krejtësisht të kundërta se si duhet të duket, Lajçak ka thënë se “do të ishte naive të kishim një qëndrim të përbashkët që nga fillimi.”

“Tani duhet të ulemi dhe të fillojmë të punojmë, të arrijmë një marrëveshje, t’i afrojmë qëndrimet e njërit dhe tjetrit. Sigurisht, platformë e përbashkët duhet të jenë marrëveshjet e mëparshme dhe modelet evropiane. Aty ku ka vullnet, ka rrugë”, ka deklaruar Lajçak, raporton REL.

Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kishte një diskutim të rëndësishëm me të sa i përket draft – statutit të Asociacionit dhe se pret “dakordim” për këtë proces.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, ka ritheksuar se Kosova është interesuar ta zbatojë në tërësi Marrëveshjen e Ohrit.

“Jemi të interesuar që të bashkëpunojmë për ta shkruar bashkë më tej një vizion për komunitetin serb në Kosovë, sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit. Ky është synimi ynë paralelisht me atë që duhet të ketë zbatim të plotë dhe sa më të shpejtë”, ka thënë Kurti.

Tutje, emisari i BE-së ka thënë se palët mund të kenë ose normalizim ose konfrontim, por duhet të fokusohen në normalizim dhe të shmanget çdo eskalim.

“Mund të keni vetëm normalizim ose konfrontim dhe ne duam të fokusohemi plotësisht në normalizim, prandaj duam të shmangim ndonjë eskalim, kjo nuk është në interesin e askujt”.

Lajçk ka vizituar edhe Mitrovicën e Veriut, prej ku u pyet në lidhje me çështjen e hapjes për qarkullim të urës mbi lumin Ibër, mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Hapja e kësaj ure u diskutua ditë më parë me iniciativën e disa asamblistëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Është në duart e dy palëve, ato duhet të pajtohen. Ne duam që hapja e urës të kontribuojë në një stabilitet më të madh sesa në destabilizim. Prandaj, insistoj që duhet ta përdorim platformën e dialogut për t’u pajtuar për një rrugë përpara”, ka thënë Lajçak.

Lajçak ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në veri është që të marrë ” informacionin e dorës së parë nga njerëzit që jetojnë këtu për të parë se si e shohin situatën ata”.

“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm, në mënyrë që të krijoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ajo që dëgjova më shqetësoi. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.

Në fund të vizitës së tij në Kosovë, Lajçak ka thënë se takimet e 11 majit ishin të dobishme për të si i dërguar për dialog dhe se po niset për në Beograd me informacione dhe përshtypje të reja.

Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Beograd dhe Prishtinë pas takimit të 2 majit Vuçiq-Kurti në Bruksel, ku u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur, por nuk u arrit përparim në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika