Të premten pasdite, presidentja Vjosa Osmani priti në një takim konsultativ kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Takimi u zhvillua një ditë pasi presidentja paralajmëroi pasoja juridike nëse tejkalohet afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i caktuar në aktgjykim nga Gjykata Kushtetuese.

“A nënkupton kjo që secili Kuvend i konstituuar pas 26 Korrikut është kundërkushtetues?, ka thënë Vjosa Osmani, Presidente.

Teksa ngriti pyetje, të enjten ajo paralajmëroi se në rast që nuk ka marrëveshje për konstituim të Kuvendit, deri në fundjavë, në fillim të javës tjetër do t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese.

Në vlerësimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, afati juridik që nuk prodhon pasojë është absurd – teksa tha se mos përcaktimi i pasojave ishte gabim.

“Gjykata Kushtetuese mund të operacionalizojë shumë dimensione dhe të thotë: ‘Kjo është pasojë, ajo është pasojë’, përfshirë edhe decertifikimin. Kjo është e mundshme. Nëse caktohet decertifikimi, atëherë duhet të lokalizohet edhe shkelja dhe shkelësi i Kushtetutës. Gjykata duhet ta shterë këtë çështje duke u bazuar në arsyetimin e saj – po flas për gjykimin e fundit – dhe të adresojë prerogativën e partisë fituese të zgjedhjeve”, ka thënë Enver Hasani, Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Por sipas tij, nuk i takon presidentes të kërkojë përgjigje për pasojat juridike në rast mos-konstituimi brenda afatit, teksa tha se Kushtetuesja mund t’i definojë ato bazuar në kërkesat ekzistuese nga PDK e LDK.

Teksa vlerësoi se presidentja është dashur që të mos pres javën e fundit që t’i adresohet Kushtetueses, juristi Muhamet Kelemendi tha se në këtë situatë ku, sipas tij, janë konsumuar të gjitha veprimet, duhet një marrëveshje për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Pas afatit një mujor, Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi të imponojë ndonjë zgjidhje, sepse deputeti është i lirë dhe i pavarur, ai i nënshtrohet vetëm votës së qytetarëve të Kosovës dhe askujt tjetër. Si e jep votën e vet është çështje individuale. Ka mundësi që Prokuroria Speciale të hapë procedura penale ndaj personave të ndryshëm, të cilët mendohet se e kanë cenuar rregullimin shtetëror të Republikës së Kosovës”, ka thënë Muhamet Kelmendi, Jurist.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate kanë shprehur vullnet bashkëpunimi, ndërsa një takim mes krerëve të dy partive është paralajmëruar deri në fundjavë.

Të shtunën, deputetët do të mblidhen për herën e 49-të në vazhdimin e seancës konstituive që nisi më 15 Prill.