Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se nënshkrimi i fundit i kontratës me Komunën e Prishtinës për mirëmbajtjen e hapësirave publike është vetëm një hap i parë dhe nuk adreson problemin thelbësor të grumbullimit të mbeturinave në qytet.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrata aktuale përfshin vetëm pastrimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve si parqet, hapësirat publike të lagjeve dhe zonat e gjelbra, ndërsa nuk përfshin shërbimin bazë të largimit të mbeturinave nga qyteti.

“KRM ‘Pastrimi’ e vlerëson çdo përpjekje për fillimin e bashkëpunimit dhe angazhimit në adresimin e situatës së krijuar me largimin e mbeturinave.

Sqarojmë që Kontrata për mirëmbajtje të hapësirave sipërfaqësore e nënshkruar nga dy palët ka të bëjë mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave sipërfaqësore, si parqet, hapësirat publike të lagjeve dhe zona të tjera të ngjashme, dhe përbënë shërbim krejtësisht tjetër nga problematika bazë.

Në dakordim me përfaqësuesit e punëtorëve, është vendosur të nënshkruhet kjo kontratë, si një shërbim shtesë.

Megjithatë, kjo kontratë nuk e adreson problemin themelor, i cili ka të bëjë me shërbimin primar të largimit të mbeturinave nga qyteti, si dhe me pagesat e papaguara për më shumë se katër muaj. Këto mjete janë thelbësore për të siguruar furnizimin me naftë dhe për të rifilluar menjëherë operimin e rregullt, duke garantuar gjithashtu edhe stabilitet financiar afatgjatë.

Prandaj, kërkojmë nga Komuna që të ulemi urgjentisht për të zgjidhur çështjen themelore – kontratën për shërbimet bazë dhe obligimet financiare të papaguara deri tani – në mënyrë që t’i kthehemi sa më parë normalitetit dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Prishtinës”, thuhet në njoftim.