PDK dhe Aleanca në Kuvend, kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive 

Debati rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës po vazhdon, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kanë zgjedhur të qëndrojnë në sallën plenare, duke kërkuar që procesi të mos mbetet i pezulluar.

Deputetët e këtyre dy subjekteve po kërkojnë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, që të rikthejë në rend dite vazhdimin e seancës së konstituimit.

Në ndërkohë, deputetë të PDK-së janë duke shfrytëzuar foltoren për të paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me situatën e krijuar.

PDK-ja, në një shkresë drejtuar Deharit, ka vlerësuar se përfundimi i afatit 30-ditor pa konstituimin e Kuvendit nuk nënkupton se procesi mund të mbetet i papërfunduar.

Sipas kësaj partie, tejkalimi i afatit kushtetues e ka rënduar situatën institucionale, por nuk e eliminon përgjegjësinë për ta përmbyllur konstituimin.

Në të njëjtën kohë, edhe Aleanca ka mbajtur deputetët e saj në sallën plenare, duke insistuar në vazhdimin e punës së Kuvendit.

Kriza institucionale është thelluar pasi të premten skadoi afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Seanca e nisur një ditë më herët u vazhdua të shtunën, por as ajo nuk solli zhbllokimin e procesit.

Në atë seancë, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për të zhvilluar bisedime me partitë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Kjo kërkesë shkaktoi reagime të ashpra në sallë, ndërsa deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit.

PDK-ja dhe Aleanca kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në takime të tilla me Kurtin. Në anën tjetër, LVV ka zhvilluar disa raunde bisedimesh me LDK-në, me të cilën deri tani janë zhvilluar katër takime.

Megjithatë, as këto negociata nuk kanë prodhuar marrëveshje. Të dyja palët kanë pranuar se dallimet për çështjet kryesore politike vazhdojnë të jenë të mëdha.

LVV-ja doli nga zgjedhjet me 53 ulëse dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, mund të sigurojë votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. LDK-ja ka 18 deputetë.

Pengesë kryesore mbetet zgjedhja e presidentit. Kurti ka paralajmëruar se, nëse nuk gjendet një zgjidhje për këtë çështje, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje.

Për dy raundet e para të votimit për president kërkohet prania e 80 deputetëve në sallë, çështje që e bën marrëveshjen mes partive edhe më të rëndësishme për tejkalimin e ngërçit politik.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika