PDK dorëzon kërkesë në Kushtetuese: Kundërshton veprimet gjatë seancës konstituive të Kuvendit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar të enjten një kërkesë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar veprimet e ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit më 29 qershor dhe vazhdimet e saj më 1 dhe 3 korrik 2025. Sipas njoftimit zyrtar, kjo kërkesë është paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të […]
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar të enjten një kërkesë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar veprimet e ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit më 29 qershor dhe vazhdimet e saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo kërkesë është paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së dhe konteston katër veprime.
“1. Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; 2. Hedhjen në votim të këtij Komisioni; 3. Vetë votimin e Komisionit; 4. Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit”, thuhet në njoftim.
PDK thotë se të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që sipas saj, ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën për konstituimin e Kuvendit.
“Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që: Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë; Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive; Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare”, thuhet më tej në njoftim.
“Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën. Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”.















