Të mërkurën e javës së ardhshme, me ftesë të saj, presidentja Vjosa Osmani do t’i pres në takim partitë politike në vend.

Shefja e shtetit i ka ftuar ato për tu konsultuar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta të përgjithshme, të cilat duhet të mbahen mes 26 janarit dhe 16 shkurtit të vitit të ardhshëm.

Partia më e madhe opozitare, PDK ka thënë se do të marrë pjesë në takim.

“Sigurisht do ti përgjigjemi ftesës pasi e kemi obligim kushtetues, ju e dini mirë që PDK-ja nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, ftesa e saj nuk lidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme, por për përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta”, ka thënë Vlora Çitaku, Sekretare e Përgjithshme e PDK-së.

Dukagjini ka provuar të kuptojë qëndrimin e LDK-së për këtë takim, mirëpo zyrtarë të saj kanë qenë të paqasshëm të shtunën.

Ndërsa nga AAK-ja thanë se nuk ka ndonjë arsye të mos marrin pjesë, por që të hënën do të kenë një përgjigje definitive.

Një thirrje të tillë krejt normale po e konsideron politologu, Fidan Ukaj, derisa ai nuk sheh se ka mundësi për zgjedhje të parakohshme.

“Nuk besoj sepse tash jemi duke shkuar drejt procesit të rregullt të zgjedhjeve nacionale, dhe nga letra që pamë Osmani iu kujtoj partive politike, në suazat ligjore që i përcakton edhe ligji mbi zgjedhjet”, ka thënë Fidan Ukaj, Politolog.

Mirëpo, mendim pak më ndryshe ka analisti tjetër politik Afrim Kasolli.

Ai thotë se zgjedhje të parakohshme mund të ketë nëse gjatë takimit arrihet ndonjë koncensus, por që gjasat i konsideron të vogla.

“Mbetet të shihet në bazë të konsensusit që mund të arrihet nëpërmjet partive politike gjatë atij takimi, dhe siç e dimë të gjithë një përpjekje ishte bërë më herët, por që kishte dështuar për shkak të qëndrimeve të kundërta që kishin partitë”, ka thënë Afrik Kasolli, analist politik.

Presidentja ua ka dërguar ftesat partive politike të premten, kur edhe ka filluar zyrtarisht faza brenda së cilës mund të zhvillohen konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Herën e fundit, zgjedhjet e parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021 të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje, duke siguruar mbi 50 për qind të votave.