PDK: Gjykata Speciale ka dalë jashtë mandatit të saj, po i përndjek vetëm shqiptarët
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj ndaj bastisjeve që po zhvillojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-zyrtarëve të shtetit dhe anëtarëve të kësaj partie. Në reagimin e tyre thuhet se këto bastisje janë tërësisht të panevojshme, tendencioze dhe shkojnë në nivelin e përndjekjes politike. “Kosova ka themeluar Dhomat e Specializuara për […]
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj ndaj bastisjeve që po zhvillojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-zyrtarëve të shtetit dhe anëtarëve të kësaj partie.
Në reagimin e tyre thuhet se këto bastisje janë tërësisht të panevojshme, tendencioze dhe shkojnë në nivelin e përndjekjes politike.
“Kosova ka themeluar Dhomat e Specializuara për të ofruar drejtësi me standarde evropiane dhe jo spektakël në emër të saj. Mbi të gjitha, kjo fushatë përndjekëse shpërfaq dështimin e Dhomave të Specializuara për të argumentuar aktakuzat e tyre në proceset gjyqësore”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, Gjykata Speciale ka dalë jashtë mandatit të saj dhe se është shndërruar në një mekanizëm që i ndjek vetëm shqiptarët.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, me mandat të qartë dhe të kufizuar për të hetuar krimet e pretenduara për trafikim të organeve. Fatkeqësisht, që nga momenti kur janë bërë publike aktakuzat e para kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe ish-udhëheqësve shtetërorë të Kosovës, është bërë e qartë se fokusi i Dhomave të Specializuara ka dalë jashtë mandatit dhe çdo kontrolli institucional, duke u shndërruar në një mekanizëm që i ndjek vetëm shqiptarët”, thuhet në reagim.
PDK ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që ta ndalin këtë fushatë, sipas tyre, përndjekëse “dhe t’i kthehen punës së tyre brenda mandatit dhe fushëveprimit të tyre”.















