Pas kërkesës për të shqyrtuar mënyrën e konstituimit të Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar edhe një kërkesë tjetër në Gjykatën Kushtetuese.
Kërkesa ka të bëjë me votimin në Kuvendin e Kosovës të Qeverisë së re, më 13 shtator.
“Sot bashkë, bashkë përsëri me Përparimin, që ju kemi paralajmëruar edhe dje, jemi këtu te Gjykata Kushtetuese, ku e deponuam kërkesën tonë për me e trajtuar edhe po ashtu çështjen e votimit të Qeverisë. Pra, ky Kuvend, i cili tashmë ka dilema dhe është i vlerësuar prej anës tonë që është i pakonstituuar dhe pa legjitimitet, patjetër që duhet t’i vendoset masa dhe duhet të kthehet ligjshmëria nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.
Së fundmi deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa ka deklaruar se është takuar me kryeministrin, Albin Kurti, për t’i shpalosur atiij propozimin për një koalicion mes PDK-së e LVV-së.
Deputeti Përparim Gruda tha se ky ishte qëndrim personal i bashkëpartiakut të tij.
“Zoti Mustafa ka një qëndrim personal dhe është qëndrim i tij personal. PDK nuk ka më dialog me LVV-në. Qëndrime e PDK-së janë të qarta…Ne kemi shkuar në dialog për president, nuk kemi arrit marrëveshje, sepse, zotëri Kurti donte gjitha pushtetet, e ne nuk mund të ja lejojmë, prandaj, s’kemi pse të vazhdojmë më dialog që është dizajnuar për të dështuar”, u shpreh Gruda.
Partia Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar një ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar që të vendos edhe masë të përkohshme.
Lëvizja Vetëvendosje në seancën e së dielës ka zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës e nga Lista Serbe, duke e konsideruar Kuvendin të konstituuar, si dhe ka votuar qeverinë e re, ani se nuk u zgjodh nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.