PDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit Murati
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të enjten ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe u.d. sekretarit të Ministrisë, Enis Spahiu. Ky kallëzim penal, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është bërë për mosekzekutimin e pagave të muajit shtator për punëtorët e sektorit të arsimit. “Personat e kallëzuar, në […]





Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të enjten ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe u.d. sekretarit të Ministrisë, Enis Spahiu.
Ky kallëzim penal, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është bërë për mosekzekutimin e pagave të muajit shtator për punëtorët e sektorit të arsimit.
“Personat e kallëzuar, në cilësi të personave zyrtarë, përkatësisht si titullarë të institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autorizimet e tyre ligjore dhe legjislacionin në fuqi, kanë ndërmarrë veprime për ndalimin (mosekzekutimin) e pagës për muajin shtator për mësimdhënësit e komunave të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar të drejtën kushtetuese e ligjore për grevë”, thuhet në dokumentin e kallëzimit penal, të dorëzuar në Prokurorinë Speciale.
Në profilin e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se Ministria e Financave nuk ka asnjë kompetencë që t’ua ndalë pagën punëtorëve të sektorit publik.
“Vepruam sepse pasojat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare të Ministrit Murati dhe vartësit të tij z.Spahiu, po i vuajnë mbi 23 mijë mësimdhënës e mbi 5 mijë punëtorë administrativë dhe teknikë të shkollave që janë punëtorë të komunave e jo të qeverisë. Kjo e fundit, nuk ka asnjë kompetencë ligjore për t’iu ndalë pagën, si elementi bazë i marrëdhënies tuaj të punës – mes juve – si punëmarrës dhe komunave – si punëdhënës”, ka thënë ai.
Tahiri, po ashtu, ka përmendur raste kur paga u është ndalur edhe atyre mësimdhënësve që nuk kanë qenë pjesë e grevës.
“Kjo shkelje ligjore është edhe më e rëndë pasi qeveria ka aplikuar standard dhe diskriminim të dyfishtë: e para, nuk ua ka ndalur pagën të gjithë pjesëmarrësve të grevës, por vetëm një pjese të tyre dhe e dyta, ua ka ndalur pagën edhe atyre pak mësimdhënësve të cilët në disa komuna e në disa shkolla brenda tyre, i kanë mbajtur orët mësimore dhe nuk kanë qenë pjesëmarrës në grevë”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte bërë të ditur se pagat për punëtorët e sektorit publik, për muajin shtator, janë ekzekutuar vetëm për ata që nuk kanë qenë pjesë e grevës.
Kryeziu ka thënë se çështja e pagave të grevistëve përcaktohet me ligjin për greva.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë ai.
Diferencime sa i përket procesimit të pagave, ka pasur edhe në sektorët e tjerë. Shërbyesve civilë u ka dalë paga edhe pse ishin pjesë e grevës, kurse mësimdhënësve jo.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, është shprehur i indinjuar me këtë vendim të qeverisë, të cilin e ka quajtur diskriminues e hakmarrës.
“Fatkeqësisht, ende nuk janë procesuar në sistemin arsimor, teksa e keqja shtohet se janë procesuar për shërbyesit civilë që ishin në grevë dhe kjo është një segregacion, nuk ka çfarë të dyshohet për tjetër, përveç ndonjë qëllimi që vetëm qeveria e di”, ka thënë ai.
Tutje, Jasharaj ka paralajmëruar “situatë të acaruar”, nëse nuk procesohen pagat deri më 5 tetor të këtij viti.




















