Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kjo nismë vjen pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilin PDK e ka kundërshtuar dhe e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se përmes këtij projektligji synohet ndryshimi dhe plotësimi i kornizës ligjore që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Projektligji që po paraqitet jep një përgjigje të qartë. Nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara që kanë të bëjnë me trafikimin e organeve njerëzore dhe krimet kundër njerëzimit të mos hetohen, përkundrazi. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. Pra, kjo nuk është një nismë për pafajësi e pandëshkueshmëri. Është një nismë për të caktuar, për të përcaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë. Kjo është një çështje e sovranitetit ligjor të Republikës së Kosovës. Dhe vetë Dhomat e Specializuara e Gjykata Kushtetuese ka konstatuar më parë se kufijtë konkretë të juridiksionit të Dhomave janë përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Nëse Kuvendi e ka përcaktuar atë juridiksion, Kuvendi ka edhe përgjegjësinë ta rishikojë ligjin kur konsideron se ai nuk e pasqyron më qëllimin për të cilin është miratuar. Projektligji e bën pikërisht këtë. Ai kërkon që akuzat të kenë një lidhje konkrete me pretendimet për të cilat është krijuar kjo gjykatë. Jo një lidhje të përgjithshme. Jo interpretime të pafundme.Jo zgjerim të mandatit vetëm se një ngjarje ka ndodhur gjatë luftës. Duhet të ketë një lidhje të qartë me misionin për të cilin është krijuar ky mekanizëm”, tha Hamza.
Sipas PDK-së, nisma mbështetet në Kushtetutën e Kosovës, Amendamentin nr. 24, marrëveshjet përkatëse ndërkombëtare dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.
PDK ka deklaruar se do të vazhdojë të ndjekë rrugët demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, si dhe për të kërkuar respektimin e standardeve të drejtësisë në fazat e mëtejshme të procesit.