PDK-ja e çon në Kushtetuese seancën e 13 korrikut, kërkon të anulohen vendimet

Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka deklaruar se krahas seancës së 13 korrikut, duhen anuluar edhe vendimet e marra në të. Megjithatë, kjo nuk ishte kërkesa e vetme e PDK-së drejtuar Kushtetueses

Kuvendi i Republikës së Kosovës më 13 korrik 2023

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se ka nisur për Gjykatën Kushtetuese vendimin e kryeparlamentarit Konjufca për caktimin e seancës plenare të 13 korrikut, ku edhe pati përleshje fizike.

Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka deklaruar se krahas seancës, duhen anuluar edhe vendimet e marra në të.

“Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjti në tërësi të anulohet. Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese. Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”, ka shkruar Tahiri.

Tutje, ai ka vlerësuar se vendime të tilla kanë pasur pasoja kushtetuese e ligjore. Megjithatë, kjo nuk ishte kërkesa e vetme e PDK-së drejtuar Kushtetueses.

“Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”, ka shkruar ai.

Në seancën e 13 korrikut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.

Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit. Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.

Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa kuvendi shkoi në pauzë për 30 minuta.

Në të njëjtën seancë, me 60 vota për, vetëm një abstenim e asnjë kundër, është miratuar Ligji për pagën minimale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ky ligj parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Deri tani, paga minimale në Kosovë është ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.

Me miratimin e këtij ligji, kjo do të ndryshojë.

Kujtojmë se ky ligj në të kaluarën ka ngjallur kundërshtime të mëdha nga veteranët e luftës, pensionet e të cilëve nuk janë inkuadruar në këtë ligj.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika