PartiaDemokratike të Kosovës (PDK), i ka dërguar sërish letër kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, duke i kërkuar që ta thërrasë vazhdimin e seancës.
Sekretarja e partisë, Vlora Çitaku, në emër të deputetëve të PDK-së, ka kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë të enjten, më 20 gusht, në orën 11:00.
Në letrën drejtuar Deharit, Çitaku është thirrur në nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit, duke argumentuar se kryesuesi i seancës konstituive ka obligim kushtetues dhe procedural që ta mundësojë vazhdimin e procesit deri në konstituimin e Kuvendit.
Ajo ka theksuar se tejkalimi i afatit kushtetues nuk e heq detyrimin për konstituimin e Kuvendit, duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Çitakut, thirrja e vazhdimit të seancës do t’i mundësonte Deharit të parandalonte, siç e ka cilësuar ajo, “një shkelje të radhës” dhe të mundësonte vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“Roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit”, thuhet në letër.
Çitaku ka theksuar gjithashtu se nuk është në kompetencën e kryesuesit që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosë nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit.
Ajo i ka kërkuar Deharit që “pa vonesa të mëtejshme” ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive më 20 gusht, në orën 11:00, në mënyrë që deputetët e zgjedhur të mund ta ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues.
