Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit që të thërrasë urgjentisht seancën plenare për përmbylljen e miratimit të ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një komunikatë për media, PDK-ja ka kërkuar që ligji të miratohet në lexim të dytë, duke thënë se nuk ka pengesa ligjore apo procedurale për përfundimin e këtij procesi.
“Për PDK-në, prioriteti i menjëhershëm është përmbyllja e miratimit të ligjit në dy lexime. Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces pa zvarritje të mëtejshme”, thuhet në komunikatë.
PDK ka deklaruar se ligji është iniciuar pas takimeve dhe konsultimeve me partitë politike shqiptare dhe se mbrojtja e UÇK-së dhe çlirimtarëve është përgjegjësi e përbashkët shtetërore.
Partia ka kundërshtuar që kjo çështje të përdoret për “pazar politik” apo kushtëzime partiake, duke kërkuar që vullneti i shprehur në votimin e parë të dëshmohet edhe në leximin e dytë.
PDK-ja ka reaguar edhe për protestën e mbrëmshme, duke dënuar atë që e ka cilësuar si “dhunë joproporcionale” të Policisë së Kosovës ndaj protestuesve.
“Ushtrimi i dhunës jashtë standardeve të ndërhyrjes policore është i dënueshëm dhe krejtësisht i papranueshëm”, thuhet në komunikatë.
PDK ka kërkuar nga Qeveria, kryeministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme që, siç pretendon kjo parti, të ndalin veprimet jashtë kompetencave të tyre dhe të mos përdorin Policinë për të shtypur protestën.
Po ashtu, PDK ka bërë të ditur se do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës rastet e evidentuara të dhunës dhe tejkalimit të autorizimeve, duke kërkuar hetim dhe llogaridhënie për përgjegjësit.