Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet që sot, të martën, ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kontestimin e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, kishte paralajmëruar një ditë më herët se kërkesa do të dorëzohet gjatë mëngjesit, ndërsa kishte bërë të ditur se PDK-ja do të mbajë edhe një konferencë për media pranë Gjykatës Kushtetuese në orën 09:00.
“Do të kontestojmë vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Albin Kurtit, dhe do të kontestojmë çdo vendim që del nga ky Kuvend i themeluar në këtë rrugë”, kishte deklaruar Gruda për T7.
PDK-ja pretendon se mënyra e konstituimit të Kuvendit dhe procedurat e ndjekura pas tij kanë probleme kushtetuese, ndaj kërkon që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur përplasjet politike në Kuvend janë thelluar edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, pas tërheqjes së kandidatit të propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja, Bekim Sejdiu.
PDK-ja ka paralajmëruar se, përveç zgjedhjes së Qeverisë, do të kontestojë edhe vendimet e tjera që mund të merren nga Kuvendi, të cilin kjo parti e konsideron të formuar në kundërshtim me procedurat kushtetuese.